HIMARË- Një zjarr i madh nisi mbrëmjen e djeshme në një kodër të fshatit Kudhës në Himarë, në rrugën mes Qeparoit dhe Borshit. Flakët u përhapën me shpejtësi dhe për shkak të erës. Forcat e ushtrisë kanë ndërhyrë që gjatë natës me një helikopter Kugar dhe ushtarë në terren për të lokalizuar zjarrin.
Kreu i Emergjencave Civile, Haki Çako, në një lidhje telefonike për ABC News konfirmoi se zjarri është lokalizuar tërësisht dhe nuk ka probleme për banorët apo turistët. Ai u shpreh se zjarrvënia në fshatin Kudhës ka qenë i qëllimshëm.
“Mund të deklarojmë se nuk ka banesa të rrezikuara, nuk ka as banorë dhe as zona industriale të rrezikuara dhe pothuajse zjarri është lokalizuar tërësisht. Në operacion janë të gjithë forcat e mbrojtjes, por edhe zjarrfikësit. Situata është menaxhuar. Nuk ka pasur ndonjë probleme dhe rrezik për vizitorët, për banorët apo për shërbimet sociale, pasi janë marrë të gjithë masat dhe në dispozicion kanë qenë zjarrfikësit që janë vendosur në front në zonën turistike. Në varësi të erës dhe përmasat që merr zjarri, imazhi ka qenë i madh, sepse ka qenë në faqen e malit. Zjarri është me qëllim dhe është zjarrvënie e disa barinjve”, shtoi Çako.
Çako theksoi se të gjitha strukturat janë në terren dhe po punojnë për shuarjen e plotë ta vatrave të zjarrit.
“Dua t’u bëj thirrje të gjithë punonjësve të pyjores të jenë të kujdesshëm dhe të përcjellin informacion në kohë për të gjithë zjarrvënësit. Të gjitha strukturat janë në krye të detyrës dhe nuk do ketë asnjë problem për turistët apo për bashkëkombësit tanë, që jetojnë apo banojnë këtu”, shtoi ai.
Policia për këtë rast ka reaguar në kohë, ndërsa njoftoi se ka venë në pranga dy persona të dyshuar për zjarrvënie të qëllimshme./ n.m.abcnews.al