TIRANË- Në Shërbimin e Toksikologjisë dhe atë të Djegie-Plastikës në QSUT po marrin trajtim mjekësor 5 persona të lënduar nga zjarri i mbrëmjes së së martës në një pallat pranë zonës së Farmacisë 10 në Tiranë.
Mes të shtruarve janë 3 zjarrfikës, të cilët sipas mjekëve janë në gjendje të mirë shëndetësore dhe pritet të lënë spitalin së shpejti. Dy qytetarë të tjerë të lënduar vijojnë të qëndrojnë nën kujdes mjekësor, por fatmirësisht nuk paraqesin rrezik për jetën.
Në total, 11 persona kanë kërkuar ndihmë mjekësore si pasojë e incidentit, kryesisht për shkak të asfiksisë nga gazrat e çliruar dhe lëndimeve të shkaktuara nga flakët.
Nga këta, 6 persona kanë marrë trajtimin e nevojshëm dhe janë larguar nga spitali që mbrëmjen e djeshme në gjendje të stabilizuar dhe pa komplikacione shëndetësore.
Autoritetet shëndetësore vijojnë monitorimin e gjendjes së të lënduarve, ndërsa situata raportohet nën kontroll.
Gjithashtu, Zëvendëskryeministrja Albana Koçiu vizitoi mëngjesin e sotëm në QSUNT personat e lënduar nga zjarri i pasdites së djeshme, për t’u njohur nga afër me gjendjen e tyre shëndetësore dhe ecurinë e trajtimit.
Sipas mjekëve, zjarrfikësit e lënduar paraqiten në gjendje të mirë dhe pritet të dalin nga spitali gjatë ditës së sotme.
Gjatë vizitës, Zëvendëskryeministrja Koçiu shprehu vlerësim dhe mirënjohje për ndërhyrjen e tyre të guximshme dhe profesionale, e cila mundësoi shpëtimin e jetëve dhe shmangien e pasojave të rënda për banorët e pallatit të përfshirë nga flakët.
/abcnews.al/


