Zjarri në komisariatin e Kamzës, zjarrfikësja shkoi 30 minuta më vonë, flet i dënuari që shpëtoi: Nga qelia më nxori polici

schedule11:25 - 28 Mars, 2022

schedule 11:25 - 28 Mars, 2022

Forcat zjarrfikëse kanë mbërritur në komisariatin numër 5 në Kamzë 30 minuta pasi ishte përfshirë në flakë, ku si pasojë humbi jetën 26 vjeçari Arben Mici, i cili dyshohet të jetë zjarrvënësi. Burime nga grupi hetimor bëjnë me dije zjarri ka rënë në orën 20: 53 të së dielës dhe rreth 30 minuta më pas kanë mbërritur forcat zjarrfikëse. Fillimisht dy efektivët mes tyre Hajredin Boja kanë tentuar të shuajnë zjarrin vetë. Por kur flakët janë përhapur është telefonuar zjarrfikësja.

Lexo edhe: Zbulohet shkaku i zjarrit në komisariatin e Kamzës, arrestohen 2 policë, 3 nën hetim: Flakën e vunë 2 të ndaluarit (Emrat)

Punonjësi i policisë Hajredin Boja ende nuk ka dhënë deklarime për shkak të gjendjes shendetësore jo të mirë. Ndërsa i plagosuri tjetër Dilaver Idrizi është shprehur se është nxjerrë nga dhomat e izolimit nga punonjësi i policisë Boja, i cili ishte përgjegjësi i dhomave të izolimit. “U nxora nga dhomat e izolimit nga efektivi Hajredin Boja”. Hetimet vijojnë nga AMP, prokuroria e Tiranës dhe një ekspert i jashtëm zjarrfikës.

Lexo edhe: Kamzë, zjarrin në komisariat e vuri 26 vjeçari që vdiq: Si i iku policit nga duart dhe u kyç në tualetin e burgut

Si ndodhi ngjarja?

Zjarri në komisariatin numër 5 në Kamzë dyshohet se është vënë nga 26 vjeçari Arben Mici, i cili ndërroi jetë për shkak të plagëve që mori nga flakët, por edhe nga asfiksia. I riu nga fshati Çekrez, ishte arrestuar pak ditë më parë me akuzën e dhunës në familje, e konkretisht ndaj nënës. Mëngjesin e të shtunës ai doli në Gjykatën e Tiranës ku u njoh me masën e sigurisë “arrest në burg”. Pas shpalljes së vendimit, ai u dërgua sërish në komisariat dhe këtë të diel do të transportohej në qelitë e burgut. Por mbrëmjen e djeshme, rreth orës 21:00, në rrethana ende të paqarta i vuri flakën dyshekut. ABC mëson se sapo oficeri i sigurisë në dhomat e paraburgimit, Hajredin Boja vuri re veprimin e të riut, hapi derën dhe i kërkoj atij që të dilte prej aty e të dërgohej në një ambient tjetër. Por, 26 vjeçari në një moment i shpëtoi nga duart dhe u fut në tualetin e dhomës së paraburgimit. Aty, ai u gjet i asfiksuar e me plagë në trup nga shërbimet zjarrfikëse. Në spital për ndihmë mjekësore u dërgua edhe një i paraburgosur që ndodhej në dhomën ngjitur, 62 vjeçari Dilaver Idrizi. Edhe për të, gjykata dje kishte caktuar arrest në burg për tentativë vrasje të bashkëjetueses. Ai ndodhet jashtë rrezikut për jetën me 20% djegie në trup. Ndërsa efektivi 64 vjeçar Hajredin Boja, ndodhet i shtruar dhe jashtë rrezikut për jetën, në urgjencën e sëmundjeve të brendshme në QSUT. Ai mori lëndime nga asfiksia.

be.k/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!