Një person ka rënë në prangat e policisë së Tepelenës dhe dy të tjerë janë vënë në hetim për zjarret e rëna në fshatrat Dorëz, Turan dhe Dhëmblan.
Sipas policisë këta shtetas akuzohen se kanë ndezur zjarre në këto fshatra dhe nga përhapja e tyre u dogjën sipërfaqe toke me bimësi të ndryshme.
Në vijim të punës për identifikimin, kapjen dhe vënien përpara përgjegjësisë ligjore të autorëve të zjarrvënieve, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Tepelenë kanë identifikuar autorët e 3 rasteve të evidentuara në fshatrat Dorëz, Turan dhe Dhëmblan.
Policia thekson si I arrestuar është një 48 vjeçar banues në fshatin Sinanaj, Tepelenë, pasi dyshohet se ka ndezur për hapjen e kullotës, në fshatin Dorëz, Tepelenë, dhe si pasojë e përhapjes së flakëve është djegur një sipërfaqe e madhe kullote me bimësi të egër.
Gjithashtu, nisi procedimi në gjendje të lirë për një 59 vjeçar banues në fshatin Turan, Tepelenë, pasi dyshohet se ka ndezur zjarr në vendin e quajtur “Bregu i Gjodhimës”, në fshatin Turan, dhe si pasojë e përhapjes së flakëve është djegur një sipërfaqe toke me bimësi të egër; dhe një 50 vjeçar, banues në fshatin Dhëmblan, Tepelenë, pasi dyshohet se ka ndezur zjarr në vendin e quajtur “Dafina”, në fshatin Dhëmblan, dhe si pasojë e përhapjes së flakëve është djegur një sipërfaqe toke me bimësi të egër.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Gjirokastër, për veprime të mëtejshme./abcnews.al