Zjarret në Gjirokastër, prefekti: 430 hektarë tokë janë djegur, nuk rrezikohen qytetarët dhe banesat

schedule14:56 - 4 Gusht, 2021

schedule 14:56 - 4 Gusht, 2021

Prefekti i qarkut të Gjirokastrës, Odise Kote në një intervistë për “ABC” foli për situatën e zjarreve në Gjirokastër.

Kote theksoi se Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë , shërbimet zjarrfikëse janë në terren për të neutralizuar vatrat e zjarrit.

“Sot që në orët e para të mëngjesit të gjitha Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë, forcat e Bashkisë Gjirokastër, të institucioneve dhe ndërrmarrjve në varësi të bashkisë janë në terren për të monitoruar situatën”, tha ai.

Gjithashtu Kote u shpreh se terreni është i vështirë, por të gjitha strukturat kanë bërë një punë intensive për të shuar zjarrin, duke shtuar se aktualisht janë rreth 430 hektarë tokë të djegura.

“Sipërfaqja që po monitorohet është mjaft e madhe, është një territor që fillon nga mali dhe zbret deri në luginë. Ne fillimisht kemi nisur nga vatrat e zjarrit që janë rreth Parkut kombëtar të Antigonesë që për fat të mirë nuk ka pësuar asnjë dëmtim duke vijuar tek të gjitha pronat e fermerëve të fshatrave.

Situata është në kontroll dhe të gjitha trupat janë në terren dhe dua të theksoj se terreni është shumë i vështirë dhe nuk ka rrugë. Të gjitha forcat po përpiqen të neutralizojnë vatrat e zjarrit.

Ne shpresojmë që shumë shpejt kjo situatë të normalizohet, paralelisht jemi duke bërë edhe vlerësimin e të gjithë situatës në terren duke filluar nga dëmtimet e kryera. Nga të dhënat paraprake është vlerësuar se rreth 430 hektarë tokë është djegur dhe ne po bëjmë të gjitha procedurat ligjore për të konstatuar dëmet e shkaktuara dhe për të bërë pastaj dëmshpërblimin sipas ligjit. Aktualisht asnjë banesë nuk është në rrezik”, tha Kote.

Po ashtu më tej theksoi se fatmirësisht nuk rrezikohet asnjë qytetar dhe asnjë banesë.

“Gjatë ditës së sotme janë rikthyer pranë banesave një pjesë e banorëve që u evakuuan. Fatmirësisht nuk ka rrezik për banesat dhe për qytetarët. Sigurisht sot kemi numër më të madh të zjarrfikësve. Unë besoj që me të gjithë angazhimin e strukturave në terren, situata do të jetë normale”, përfundoi Kote./i.k/abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!