Hakim Ziyech ishte i pari. 45 milion euro në arkat e Ajax dhe në verë mesfushori me tipare sulmuese do t’i bashkohet skuadrës së Chelsea. Londinezët tanimë po punojnë për të mbyllur marrëveshjen me një tjetër mesfushor dhe bëhet fjalë për një futbollist të Interit.
Ai që pëlqehet është Matias Vecino, ndërkohë që zikaltërve u duhen para më verë. Kërkesa e tyre mendohet të jetë rreth 25 milion euro dhe Chelsea është gati ta paguajë një shifër të tillë. Londinezët nuk janë të vetëm në garë.
Vecino pëlqehet edhe nga Everton, që mund të përdorë kartën “Ancelotti”. Uruguaiani, këtë sezon në Serie A ka luajtur në 17 ndeshje dhe 13 prej tyre i ka nisur nga minuta e parë. 28-vjeçari ka shënuar edhe dy gola, njërin prej tyre në derbin kundër Milanit. /abcnews.al