Zhvlerësimi i Jenit përplas SHBA me Kinën

schedule14:45 - 6 Gusht, 2019

schedule 14:45 - 6 Gusht, 2019

Zhvlerësimi i Jenit kinez e ka çuar përplasjen tregtare mes Shteteve të Bashkuara dhe Kinës përtej çështjes së tarifave. Në reagimin e radhës, Pekini zyrtar ka hedhur poshtë akuzat e Uashingtonit se ka manipuluar vlerën e valutës kineze në tregjet e këmbimit.

Shtetet e Bashkuara dhe Kina janë përfshirë në një luftë fjalësh e akuzash në lidhje me gjendjen e valutës kineze, që ka pësuar rënien e parë në tregjet e këmbimit që prej vitit 1994. E fundit ka qenë Banka Qendrore e Kinës, që të martën deklaroi se vendimi i Uashingtonit për ta etiketuar Pekinin si një manipulues të jenit do të dëmtojë rëndë rendin ndërkombëtar ekonomik dhe do të shkaktojë kaos në tregjet financiare.

Vendimi i Amerikës për të shtrënguar tensionet e monedhës ditën e hënë do të parandalojnë gjithashtu rimëkëmbjen e ekonomisë dhe tregtisë globale – vijoi Banka e Kinës në reagimin e saj. Institucioni në fjalë theksoi se, Pekini nuk e ka përdorur kurrë dhe nuk do ta përdorë kuotën e këmbimit të valutës së saj si vegël për të zgjidhur kontestet tregtare.

“Kina i kishte paralajmëruar Shtetet e Bashkuara që t’i vinin fre kalit të tyre përpara se të arrinte humnerën dhe që të kthehej mbrapsht nga shtegu i gabuar”, tha më tej banka qendrore në reagimin e saj.

Akuzat e Shteteve të Bashkuara për valutën, që erdhën pas një rënieje të ndjeshme të jenit ditën e hënë, i ka thelluar edhe më tej problemet mes dy ekonomive më të mëdha të botës dhe e ka vështirësuar shpresat për një zgjidhje të shpejtë të përplasjes së tyre. Kontesti dypalësh është shtrirë edhe në fusha të tjera si teknologjia dhe analistët paralajmërojnë se masat reciproke mund të zgjerohen e të bëhen më të ashpra, duke ndikuar tek rritja e ekonomisë globale./ABC News Albania 24/7

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!