Analisti Mentor Nazarko komentoi edhe qëndrimin e Jorida Tabakut për projektin e dhëndrit të Donald Trump për ishullin e Sazanit. I ftuar në emisionin “Real Story” me gazetarin Sokol Balla, ai tha se kriticizmi i Tabakut mund të lidhet me qëndrimin e administratës aktuale amerikane për këtë projekt.
“Është e qartë që Tabaku ka marrëdhënie të shkëlqyera me administratën aktuale amerikane dhe ndoshta mund të jetë një shtysë që vjen prej tyre, që në sferën publike shqiptare të ketë një zë autoritar që kritikon këtë projekt. E këtë aktivizëm të Tabakut të lidhur me qëndrimin e administratës aktuale amerikane, që është demokrate, për t’ju kundërvënë këtij investimi apo Trump.
SHBA janë në fushatë dhe në këtë kuptim është e imagjinueshme. Dalja e lajmit ishte nga New York Times, që Kushner bashkë me Grenell paska përdorur zyrën publike amerikane për të nxitur investime të tilla në Shqipëri dhe Serbi. Shtysa e parë ishte New York Times që e denoncoi si konflikt interesi. Pastaj Kushner ka reaguar duke vënë në lëvizje Bloomberg për të kontrolluar narrativën.
Por edhe zonja Kokalari ishte e paqartë ose më shumë puritane seç duhet në atë se çfarë duhet të ishte tematika e protestës së opozitës ndaj një investimi të tillë. Me njohuritë e mia, ishulli i Sazanit nuk është zonë e mbrojtur por një kilometër katror zona ujore, fauna bregdetare e saj dhe jo ishulli në vetvete. Ndryshimi i ligjit, kjo lloj kritike se ndryshon ligjin në funksion të një projekti, është lexim shumë i kufizuar.“, u shpreh Nazarko./abcnews.al