Dritan Rexhepi refuzoi të japë sqarime në Gjykatën e Apelit të Posaçëm në procesin që po mbahet ndaj Festim Bexhdilin. Nga ana tjetër gjykata rrëzoi një kërkesë të avokatit Ilir Murati për thirrjen e një eksperti për këqyrjen e kamerave të sigurisë. Seanca u shty për në datën 26 qershor ora 10:00.
Dritan Rexhepi u ekstradua nga Turqia në Shqipëri më 8 janar të këtij viti. Sipas Prokurorisë së Posaçme, ai në bashkëpunim me Gentian Doçin kanë urdhëruar rrëmbimin e Jan Prengës pas dyshimeve se vëllai i këtij të fundit në 2019-ën i kishte vjedhur në Angli një konteiner me lëndë narkotike në pronësi të tyre.
Ngjarja e rëndë ka ndodhur në mesditën e 17 janarit 2020 në Kamëz. Sipas pamjeve filmike, Jan Prenga u dërgua me një “Rang Rover” të bardhë në garazhin e në resorti në Shijak, aty ku dyshohet se ka humbur jetën. Më pas trupi i tij u zhduk për të mos u gjetur as sot e kësaj dite.
45-vjeçari akuzohet edhe për përfshirjen në trafikun e drogës, më herët para togave të zeza ai ka deklaruar se në fund të vitit 2019 ka qenë në burg në Ekuador, ku po vuante dënimin për trafik droge./abcnews.al