TIRANË – Drejtori i Policisë së Tiranës, Oliger Torba, ka deklaruar se vijojnë intensivisht kërkimet për gjetjen e trupit të 34-vjeçarit Eglant Koçi, i zhdukur prej disa ditësh.
Gjatë një konference për mediat, Torba bëri të ditur se hetimet po ndiqen nga struktura e krimeve të rënda e Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, ndërsa është ngritur një grup i posaçëm pune për lokalizimin e trupit të të riut.
Sipas tij, operacioni i kërkimit është shtrirë kryesisht në zonat periferike të Tiranës dhe në kufirin ndarës mes qarqeve të Tiranës dhe Elbasanit.
“Hetimi po ndiqet nga struktura e krimeve të rënda e Drejtorisë së Policisë Tiranës. Nga ana jonë dhe aktualisht që po flasim, është ngritur një strukturë e posaçme që po kërkon në lidhje me trupin e shtetasit Eglant Koçi. Kërkimet janë shtrirë kryesisht në rrethinat e Tiranës, kufirit ndarës mes Elbasanit dhe Tiranës”, u shpreh Torba.
Kreu i Policisë së Tiranës shtoi se në operacionin e kërkimit janë angazhuar edhe Forcat e Sigurisë së Kosovës, të cilat po asistojnë autoritetet shqiptare në terren.
Megjithatë, pavarësisht angazhimit të strukturave ligjzbatuese dhe kontrolleve të vazhdueshme, deri më tani nuk është arritur të gjendet trupi i 34-vjeçarit dhe nuk ka rezultate konkrete nga kërkimet.
Policia ka bërë të ditur se operacioni do të vijojë pa ndërprerje deri në zbardhjen e plotë të ngjarjes dhe gjetjen e trupit të Eglant Koçit.



