Klubet shqiptare dënohen nga FIFA për shkak të keqmenaxhimit. Ky është opinioni i Salih Taganit, ish-administrator i Tiranës. Tagani thotë se kjo ndodh më shumë në klubet në pronësi të bashkive dhe ofron një zgjidhje për borxhet.
Dy vjet më parë e pësoi Tirana, ndërsa tani ishte radha e të tjerëve. Klubet shqiptarë nuk po shpëtojnë dot nga dënimet e FIFA-s, me Flamurtarin e Luftëtarin si viktima të radhës, dhe gjithnjë me të njëjtin motivacion, moskorrektësi në pagimin e lojtarëve.
Se përse kjo ndodh vazhdimisht, pyesim Salih Taganin, ish-administratorin e Tiranës, që sqaron kështu në intervistën për Abc News. “Kjo ndodh nga keqadministrimi. Një klub, apo një menaxher klubi, apo një president klubi, duhet të menaxhojë burimet edhe fondet. Në menaxhimin e burimeve bëjnë pjesë lojtarët. Në menaxhimin e fondeve bëjnë pjesë buxheti që ka për këta lojtarë.
Duke mos i qëndruar korrekt kontratave që nënshkruhen, ose duke gabuar në nënshkrimin e tyre, me ose pa dashje, përballen më pas me gjykatat sportive. Kur të ulen dhe të nënshkruajnë një kontratë duhet të jenë të sigurt të dyja palët që juridikisht e kanë përpiluar saktë”.
Tagani thekson se ku ndodh më tepër kjo gjë dhe ofron një zgjidhje për borxhet. “Më shumë duhet të ndodhë në klubet që nuk janë të privatizuara. Duke mos qenë i saktë statusi, presidentët aktualë janë në pozicionin e sponsorit dhe nuk e dinë a do jenë pronarë apo jo kur të privatizohen, pak ju intereson se kujt i ngel borxhi.
Në rastin që do të privatizohet klubi në të ardhmen, ai që afrohet për ta blerë nuk e bën diçka të tillë me borxhe. Një mënyrë tjetër është duke afruar tifozët. Nëse janë 3000 tifozë që i blejnë aksionet me 100 euro, me këtë buxhet mund të pretendosh të dalësh kampion”.
Tek Tirana, ish-administratori punoi mirë për kontratat. “Arrita të zbardh të gjitha kontratat. Kontratat ishin të gjitha në të zezë. Bëra krejtësisht zbardhjen e tyre në aspektin ligjor dhe lojtarët ishin të punësuar pranë klubit. Nuk ishin dy kontrata, një fiktive dhe një jo.
Nëse një trajner kërkonte t’i ndërpritej kontrata ‘x’ lojtari, nuk mund të pranoja të ndërpritej në mënyrë të njëanshme, pasi kjo do i vihej si një ‘bombë’ klubit me dy seanca gjyqësore. I pari që punësova në klub ishte juristi”, përfundon Tagani, i intervistuar nga gazetari i ABC News, Bledar Kuka. /abcnews.al