Zgjidhja e krizës politike sipas Arta Dades

schedule19:59 - 22 Mars, 2019

schedule 19:59 - 22 Mars, 2019

Ish-ministrja Arta Dade ishte e ftuar në emisionin “Provokacija” këtë të premte. Ajo dha versionin e saj për zgjidhjen e krizës politike në vend. Sipas ish-deputetes së PS-së, Rama duhet të bëjë një dalje të butë. Ajo theksoi se ai duhet të zgjedhë një kryeministër tjetër socialist që do të mundësonte hapjen e dialogut.

“Unë kohët e fundit në daljet e mia, kam pasur një version timin edhe për zgjidhjen e krizës, në të cilën mbetemi të mbërthyer, që Rama nëse vërtetë mendon për Shqipërinë, për integrimin, për të mos penalizuar edhe PS-në, forcën që e ka zgjedhur dhe krijuar mund të bënte një dalje të butë taktike. Një largim të vetin nga politika. Le të rrijë në politikë si kryetar i PS-së, por të zgjidhte një kryeministër tjetër socialist. Të bëhej një kabinet që do të emetonte siguri. Të qetësohej situata, të hapej dialogu. Sigurisht të merremi edhe me reformën në drejtësi, por edhe elektorale. Sepse mesa duket ky sistem që ndryshuam prodhoi këtë lloj parlamenti. Ka zëra që të rikthejmë në një farë mënyre jo sistemin që kishim, por mazhoritarin, i cili i bën liderit e partisë dhe strukturat të mendohen 10 herë për të kandiduar një person që do të garojë direkt. Në fakt deputetët tani janë no name, no face. Unë edhe tani të më thuash as grupi socialist nuk di të them. Shoh ndonjëherë aty ca thinjoshë dhe them ky thinjoshi, ç’është ky, nga erdhi ky”, tha Dade.

Më tej, Dade ka theksur se është larguar vetë nga PS.

Mustafa Nano: Në rastin tuaj keni zgjedhur ju që të largoheni?

Arta Dade: Unë jam larguar.

Mustafa Nano: Nuk ju kanë larguar?

Arta Dade: Këtu hyn dhe një intrigë tjetër. Dikush që i bën këto lista të premton diçka, pavarësisht që ti duhet të mendohesh për atë që të propozon Kryeministri dhe pastaj ndodh sikur nuk ka ndodhur asgjë. Në fakt kjo është një fyerje e dytë. Nëse ti tregon një fisnikëri dhe në prag të zgjedhjeve nuk ke si ti japësh rrugë ndoshta dhe një inati siç ka ndodhur. Kujtoj Jozefina Topallin që kur nuk u përshi në listë filloi të kritikonte Lulzim Bashën dhe partinë. Unë nuk mund ta bëja këtë gjë. Unë bëra vetëm një hap që mendova të pjekur që duhet të veja në zonën time elektorale dhe t’u shpjegoja strukturave të partisë që nuk i kisha kthyer kurrizin, por në fakt nuk kam besuar asnjëherë që ajo çka kryeministri propozoi do të realizohet dhe e dyta vetë duke parë një degradim të qeverisjes, por edhe të kryeministrit nuk do kisha dëshirën të bashkëpunoja me të.

Mustafa Nano: Çfarë propozimesh?

Arta Dade: Një propozim në diplomaci dhe ndoshta do të ishte shumë mirë për vendin sipas mendimit tim, por në fakt kjo gjë nuk u realizua dhe si duket do që t’i mbajë edhe ambasadorët për interesat e tij personale. Dhe në fakt kjo është në disfavor të vendit./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!