Zgjerohet vatra e gripit të shpendëve në Dibër. Fenomeni i ngordhjes së shpendëve pohohet edhe në fshatin Rreth Kale të njësisë Administrative Muhurr. Rastet e pulave të ngordhura, i pohojnë banorët e fshatit, por që janë raste sporadike nga 2- 3 në disa familje dhe nuk kanë ndodhur brenda një dite, por në harkun kohor prej 5-6 ditësh.
Nga bisedat me banorët kuptohet se janë pula të blera nga pularitë e mëdha, javën e fundit, pasi ato sjellin pula dhe zogj për shitje në Dibër, ç’ka lë të kuptohet se virusi i shpendëve ka ardhur bashkë me pulat, por duke i bashkuar me pulat e tyre mund të kenë infektuar edhe ato.
Pulat e fshatit (vendit) duket se janë më rezistente dhe nuk konfirmohen dëme nga ato. Autoritetet e veterinarisë kanë karantinuar një stabiliment me zogj në fshatin Rreth Kale, pasi në harkun kohor të 5 ditëve të njëjtit pronar i kanë ngordhur rreth 600 pula, të cilat janë groposur nga ekspertët e veterinarisë së Drejtorisë Bujqësisë Dibër.
Pas Durrësit dhe Korçës, këtë të mërkurë u konstatua vatra e tretë e gripit të shpendëve në Dibër. Ministria e Bujqësisë thotë se edhe shpendët e infektuar do të asgjësohen, ndërsa nën monitorim janë të gjitha fermat dhe tregjet e tregtimit të produkteve të shpendëve. Zëvëndësministrja e bujqësisë tha se deri tani, në të gjithë vendin janë raportuar të ngordhura më shumë se 358 mijë shpendë.
/abcnews.al