Në Mirditë janë infektuar 1 çift të moshuarish.
Ata janë prindërit e policit të burgut 313 në Tiranë, i cili u konfirmua më hërët me COVID-19.
Gazetari Gjergj Figuri raportoi për ABC News se ai kishte qenë për vizitë tek prindërit në fshatin Vele të Mirditës.
Ndërkohë janë marrë tamponët edhe për persona të tjerë të kontaktit.
Dy të moshuarit që aktualisht ndodhen të vetëkarantinuar në shtëpinë e tyre pa probleme serioze.
Ndërkohë rastet e reja, sipas Ministrisë së Shëndetësisë kanë dalë pas testimit të kryer në personat e dyshuar gjatë 24 orëve të fundit.
Nga rastet e reja, 9 janë në Tiranë, të gjitha kontakte të personave të konfirmuar pozitiv më parë.
Dita e djeshme shënoi rekord tjetër të prekurish, pasi u regjistruan 29 raste të reja, 20 prej të cilave në Tiranë.
Duket se Tirana mbetet vatra më e madhe e koronavirusit në vend.
Pas saj vijnë qytetet Shkodra, Kruja, Durrës, Fieri, Korça, dhe më pak raste në rrethe të tjera.
Në total numri i të infektuarve në vend ka shkuar në 678 raste, ndërsa numri i të shëruarve shkon në 394 raste.
Njoftimi i Ministrisë së Shëndetësisë:
COVID-19/ Ministria e Shëndetësisë: 15 raste të reja, shkon në 678 numri i të prekurve
Deri tani, 58% e të prekurve janë shëruar. Vijon i qëndrueshëm numri i të shtruarve në spital
Dr. Eugena Tomini
Instituti i Shëndetit Publik
Si çdo ditë, ju bëjmë me dije rezultatet e 24 orëve të fundit sa i takon gjurmimit dhe hetimit epidemiologjik dhe situatën e deritanishme të përhapjes së COVID-19.
Gjatë 24 orëve të fundit janë testuar 259 persona të dyshuar me COVID-19. Nga totali i rasteve të dyshuara janë testuar 36 personel shëndetësor, të cilët kanë rezultuar negativë për Sars-Cov2.
Nga rezultatet e testimeve janë konfirmuar 15 raste pozitive me COVID19.
Nga totali i rasteve të reja 9 raste janë në Tiranë, të gjitha kontakte të rasteve të mëparshme, 2 raste janë në Mirditë, 1 në Shkodër, 1 në Kukës, 1 në Has dhe 1 në Kurbin.
Deri në këto momente janë testuar 6768 raste të dyshuara dhe prej tyre janë të konfirmuar pozitivë me COVID-19, 678 raste, pra rreth 10% e totalit të rasteve të testuara.
Gjatë 24 orëve të fundit, 9 pacientë të tjerë i janë shtuar listës së të shëruarve, duke e çuar totalin e të shëruarve nga COVID-19 në 394 ose 58.1% e totalit të të prekurve.
Aktualisht në vendin tonë 257 ose 41.9% e totalit të të prekurve janë persona aktivë me COVID19 dhe siç shihet përqindja e të shëruarve është më e lartë. Kjo tendencë tashmë vazhdon të jetë e qëndrueshme.
Ju informojmë se, në shërbimin infektiv aktualisht janë 30 të shtruar nga të cilët 4 pacientë janë në terapi intensive.
Në spitalin COVID 2 “Shefqet Ndroqi”, janë 8 pacientë të shtruar. 4 pacientë janë në terapi intensive në gjendje të rënduar, ndërsa 4 pacientë janë në pavion.
Në dy spitalet COVID aktualisht po marrin shërbim 38 pacientë.
Harta e të prekurve nga COVID-19 zgjerohet në Tiranë, Mirditë, Shkodër, Kukës, Has dhe Kurbin.
Shpërndarja gjeografike e rasteve pozitive, është si vijon:
– Tiranë 285 raste
– Durrës 42 raste
– Lushnje 6 raste
– Elbasan 18 raste
– Fier 36 raste
– Kavajë 9 raste
– Rrogozhinë 4 raste
– Korçë 19 raste
– Vlorë 5 raste
– Shkodër 103 raste
– Lezhë 14 raste
– Berat 2 raste
– Has 14 raste
– Krujë 65 raste
-Tropojë 4 raste
– Pukë 5 raste
– Mirditë 5 raste
– Kukës 12 rast
-Mallakastër 1 raste
– Kurbin 29 raste
Pavarsisht luhatjesve të të dhënave ditorë të zbulimit të bartësve të virusit apo të sëmurëve prej tij, situata është e kontrolluar.
Treguesi i vërtetë është numri i të shtruarve në spitale, që vazhdon të mbetet në shifra të qëndrueshme.
Në kushtet e lehtësimit të disa masave, në mënyrë që situata të vazhdojë të jetë e kontrolluar, është shumë e rëndësishme të zbatohen me përpikmëri të gjitha udhëzimet e autoriteteve shëndetësore, të respektohet distancimi fizik dhe ruajtja e higjienës personale.
Këto masa duhet të respektohen makimalisht edhe brenda rretheve familjare, duke shmangur vizitat tek të afërmit për çdo lloj arsye.
Nëse keni shenja të sëmundjes COVID19 telefononi numrin e urgjencës 127. Për çdo pyetje apo informacion rreth COVID19 telefononi në linjën e gjelbër 0800 40 40. /abcnews.al