Zgjerimi i NATO-s, The Guardian: Putin të fajësojë veten

schedule10:10 - 13 Maj, 2022

schedule 10:10 - 13 Maj, 2022

The Guardian

Përktheu: Sonila Backa-abcnews.al

Në vitin 2019, Emmanuel Macron deklaroi se NATO ishte “vjetëruar”. Paralajmërimi i presidentit francez u nxit nga frika se aleatët e NATO-a nuk mund të mbështeteshin më te SHBA-ja, nën udhëheqjen e Donald Trump.

Trump konfirmoi se ai nuk do t’i mbronte ata kundër Rusisë. Më pak se tre vite pas paralajmërimit të Macron, aleanca është rigjallëruar. Anëtarët kanë rritur ndjeshëm shpenzimet e mbrojtjes, megjithëse vetëm tetë nga 30 arritën objektivin prej 2% të PBB-së vitin e kaluar.

Finlanda dhe Suedia, rezistente prej kohësh ndaj anëtarësimit po synojnë të kundërtën tani. Asgjë nuk ka bërë më shumë për solidaritetin dhe zgjerimin e NATO-s sesa pushtimi brutal dhe i paprovokuar i Ukrainës nga Vladimir Putin, raporton abcnews.al.

Presidenti dhe kryeministri i Finlandës, Sauli Niinistö dhe Sanna Marin, deklaruan të enjten se vendi i tyre duhet të aplikojë për tiu bashkuar aleancës sa më parë. Social Demokratët në pushtet në Suedi, të dyzuar prej kohësh për këtë çështje, tani pritet të marrin vendimin  të dielën.

Në Finlandë, mbështetja për anëtarësimin në NATO nuk ishte rritur kurrë mbi 30% që nga fundi i Luftës së Ftohtë . Aktualisht është 76%. Në Suedi, ku mos-angazhimi (i paraprirë nga neutraliteti) ka qenë më shumë ideologjik, sesa pragmatik, mbështetja është rritur gjithashtu: më shumë se 57% e njerëzve tani mbështesin anëtarësimin në NATO.

Të dy vendet janë të mirëpritura në NATO. Anëtarësimi i tyre do të rriste aftësinë e NATO-s për të mbrojtur Balltikun. Në realitet, ata tashmë janë partnerë të ngushtë, duke marrë pjesë në stërvitje ushtarake dhe duke ndarë informacione të inteligjencës me aleancën.

Por anëtarësimi do t’i lidhte ata zyrtarisht me garancinë e përbashkët të sigurisë të përcaktuar në nenin 5 të traktatit, duke deklaruar se një sulm ndaj çdo anëtari është një sulm ndaj të gjithëve dhe duke i detyruar anëtarët të mbrojnë njëri-tjetrin.

Zgjerimi i NATO-s pa dyshim ka kontribuar në mentalitetin paranojak të Putinit.

Ai e cilëson organizatën si pak më shumë se një shprehje të fuqisë së SHBA-së. Por është kryesisht agresioni rus që ka nxitur zgjerimin, jo anasjelltas. Frika e provokimit të Moskës i lidhi duart Finlandës dhe Suedisë për vite me radhë.

Tani sulmi i gjithanshëm ndaj Ukrainës ka bërë që shumë njerëz të arrijnë në përfundimin se nuk kanë asgjë për të humbur – ndërkohë që dështimet e Rusisë kanë sugjeruar se ajo mund të jetë më pak e frikshme nga sa mendonin.

Anëtarësimi i Suedisë dhe Finlandës në NATO do të rrezikonte  Kaliningradin, shtëpinë e flotës së Moskës në Detin Baltik. Në mënyrë të parashikueshme, Rusia është zotuar të hakmerret për njoftimin finlandez, raporton abcnews.al.

Rusia kërcënoi me përdorimin e armëve bërthamore në Balltik, megjithëse kërcënimi i vërtetë ka më shumë gjasa të vijë në formën e dezinformatave, sulmeve kibernetike dhe provokimeve të tjera.

Megjithatë Moska nuk duhet të jetë shqetësimi i vetëm i aleancës. Në SHBA, 57 republikanë votuan kundër paketës së ndihmës prej 40 miliardë dollarësh për Ukrainën në Dhomën e Përfaqësuesve ndërsa po përballet me kundërshtimin e republikanëve në Senat.

Dhe pavarësisht humbjes së Marine Le Pen në zgjedhjet presidenciale franceze të muajit të kaluar, ambivalenca apo antagonizmi ndaj NATO-s nuk është zhdukur nga Europa. Në Itali, ku zgjedhjet e përgjithshme do të mbahen vitin e ardhshëm, shumica e votuesve janë të shqetësimet nga vendimet e qeverisë për të rritur shpenzimet e mbrojtjes dhe dërgimin e armëve në Ukrainë.

Aleanca ekziston për të zhdukur kërcënimin në kufijtë e saj lindorë. Mund ta bëjë këtë vetëm duke qëndruar vigjilent ndaj dobësive të brendshme.

/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!