“Zgjedhorja”, Përmeti: Palët ranë dakord të mbajnë militantët e tyre që të vjedhin votat e partive të vogla

schedule14:41 - 20 Qershor, 2020

schedule 14:41 - 20 Qershor, 2020

I ftuar në studio me gazetaren Suela Demiri në ABC News, ishte ditën e sotme deputeti i opozitës parlamentare, Andi Përmeti.

Nga biseda që zhvilloi Përmeti u shpreh se Reforma Zgjedhore në vetvete nuk ka reformuar asgjë, madje palët kanë dakordësuar marrëveshje mes tyre për të mos reformuar asgjë.

Më tej deputeti Përmeti u shpreh se ka insistuar gjithmonë në një sistem zgjedhor me lista të hapura dhe se së fundmi është arritur një minifitore nga ana e opozitës për diskutimin e hapjeve të listave dhe ndryshimin e sistemit, në parlament.

Përmeti gjithashtu tha se opozita kërkon të ndryshojë sistemin zgjedhor dhe tja lërë në dorë qytetarëve të zgjedhë me votën e tyre, ata që duan ti përfaqësojnë.

“E ashtuquajtura Reformë zgjedhore nuk duhet që quhet e tillë, për mendimin tim nuk ka pasur asnjë reformë dhe nuk është arritur asgjë. Më shumë duket si dakordësi paraprake për të mos ndryshuar asgjë.

Sot jemi përpara faktit që këtë dakordësi e kanë bërë pikërisht për të mos prekur asgjë nga gjërat themelore që janë diskutuar.

E gjithë kjo histori i përfolur me mandate të djegura, me hedhje molotovësh, ka përfunduar në një tender diku tek 15 milion euro për një identifikim biometrik. Jam i bindur që me më pak lekë këta mund të arrinin votimin dhe numërimin biometrik që do të zgjidhte praktikisht gjithçka. Kështu që kjo nuk është reformë zgjedhore por dakordësi për të mos bërë reformën zgjedhore.

Ndryshim i rëndësishëm do ishte një depolitizim i administratës zgjedhore e cila nuk u arrit. Palët ranë dakord të mbajnë militantët e tyre në komisione numërimi dhe në komisione zgjedhore me të vetmin qëllim mbase që të fusin duart e të vjedhin votat e partive të vogla.

Rezultati është ai që tregon përfundimin  e një beteje. Në çdo seancë parlamentare kam foluar për ndryshimin e sistemit si një nevojë për Shqipërinë. Ky sistem që kemi i ka dhënë fuqi perandorake 3 personave të cilët e kanë shfrytëzuar në maksimum.

Për fat ne jemi sot në një fazë ku ne kemi një inicim konkret të kësaj beteje. Kur deklarova se kemi dorëzuar kërkesat e Bindjes demokratike në parlament zyrtarisht të protokolluara, askush nuk e mori parasysh, pas nesh, organizatat e shoqërisë civile kanë dorëzuar 50 mijë firma në parlament, të qytetarëve që kërkojnë ndryshimin e sistemit zgjedhor, askush nuk e mori parasysh.

Ne sot kemi një minifitore të kësaj beteje, që do të thotë se zyrtarisht kemi iniciuar procesin në parlament, për të diskutuar hapjen e e sistemit që do të thotë hapjen e listave. Kjo nuk është një betejë personale, ne kërkojmë të garojmë dhe t’ja lëmë në dorë qytetarit të zgjedhë atë që do të votojë. Mendoj që opozita duhet ti bashkohet nismës tonë”, tha ndër të tjera deputeti./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!