Kuvendi nuk mundi as këtë sesion parlamentar, të miratonte reformën zgjedhore, puna për të cilën ka nisur që në vitin 2017 – të. Janë gjithsej 52 akte që Parlamenti nuk i ka miratuar dhe zvarritur ndër vite e muaj. Shkarkimi i Presidentit dhe ndryshimi i Kodit Zgjedhor do të jenë vendimet më të nxehta që Kuvendi do t’i përpunojë duke filluar nga 19 janari.
Këtë firmë Olta Xhaçka e ka hedhur në 30 qershor 2016. 2 vjet e gjysmë më parë, ajo bashkë me disa kolegë socialistë kërkuan krijimin e Institutit të Studimeve për Kujtesën e Luftës së Dytë Botërore”.
Po ky projektligj nuk u miratua kurrë nga Kuvendi, dhe prej 30 muajsh pret në raftet e Kuvendit duke u bërë akti me zvarritjen më të madhe. Por nisma e Olta Xhaçkës nuk është vetmja që pret dhe që mbartet për sesionin e ardhshëm. 52 akte parlamentare janë në sirtar, mes të cilave 37 projektligje dhe 15 projekt vendime.
Një nga dështimet parlamentare, edhe këtë sesion, është reforma zgjedhore. Puna për të ka nisur që në vitin 2017, por më shumë se dy vjet, kriza politike ka penguar që ndryshimet e Kodit Zgjedhor të miratohen. Edhe pse kryeministri u zotua që disa ndërhyrje të miratoheshin brenda dhjetorit, tërmeti shfokusoi përbetimet politike, dhe zgjedhorja, ngel sfida e vitit të ardhshëm.
Shkarkimi i Presidentit është një vendim të cilin socialistët nuk e morën dot këtë vit në Kuvend, pavarësisht gjuhëve të flakta dhe “muskujt” e votave që për gjithë vitin ja shkundën Ilir Metës nga foltore të ndryshme.
Në janar, me ndihmën edhe të opozitës së re, PS do të përpiqen t’i heqin një spaletë Metës, duke ndryshuar ligjet e reformës në drejtësi, me qëllim që betimet e gjyqtarëve e prokurorëve të mos bllokohen dot nga Presidenti.
Kuvendi ende nuk ka djegur me kartonë të kuq dy dekrete të Presidentit, që kanë rikthyer pas ligjin për Noterinë dhe Kadastrën.
Ligjvënësit do të kthehen nga pushimet në 19 janar./abcnews.al