“Zgjedhorja” ndan shoqërinë civile, gjysma e organizatave refuzojnë ftesën e Komisionit të Reformës

schedule15:18 - 1 Shkurt, 2024

schedule 15:18 - 1 Shkurt, 2024

Damian Gjiknuri dhe Enkelejd Alibeaj kanë vendosur që të martën e ardhshme të mblidhen prapë fizikisht për të punuar për reformën zgjedhore.

Opozita i qëndron aksionit për ta bllokuar sërish këtë tryezë, por kjo nuk i ka penguar dy bashkëkryetarët që të nisin dëgjesat me aktorët dhe faktorët vendas.

Komisioni ka ftuar 8 organizata të shoqërisë civile me ekspertizë në fushën e zgjedhjeve për të dhënë mendimet e tyre, por ABC Neës ka mësuar se gjysma prej tyre, kanë refuzuar ftesën e Kuvendit të Shqipërisë.

ABC News i kontaktoi të gjitha palët e ftuara. Aktivistët njëzëri shprehin vullnetin të kontribuojnë për një reformë zgjedhore gjithëpërfshirëse, por ata ndahen në dy pjesë në analizën që i bëjnë situatës politike me të cilën po tentohet reforma zgjedhore.

Ata që do të marrin pjesë, argumentojnë se do të bëjnë detyrën e tyre, dhe është në përgjegjësi të politikës marrja e kostove të bllokimit apo dështimit të mbledhjes.

Madje, këto organizata thonë se në cdo rast, komentet e tyre do t’ja përcjellin Kuvendit edhe në rrugë elektronike, nëse dështon dëgjesa.

Por gjysma tjetër, një pjesë prej të cilëve i kanë dërguar edhe shkresë Kuvendit, refuzojnë që të bëhen pjesë e një situate, ku sic thotë ata, mund të keqpërdoren, apo të keqkuptohen.

Madje, ata shtojnë se Kuvendi duhet të dëgjojë si fillim partitë, të bëjë një draft gati dhe mbi këto projekt shoqëria civile mund të japë opinionet e saj.

Duhet pritur e marta, për të parë nëse Kuvendi do të ketë marrë masa shtesë për të penguar uzurpimin e sallës së Komisionit Elektoral nga grupimi opozitar anti-Basha.

Organizatat e ftuara nga Kuvendi

Instituti Shqiptar për Zhvillimin e Sistemit të Zgjedhjeve

KRIIK

Shoqata për Kulturë Demokratike (SHKD)

Instituti i Studimeve Politike ISP

Akademia e Studimeve Politike

Fondacioni Albania

Instituti Demokratik Amerikan (NDI)

Rrjeti Barazi në Vendimmarrje

Qëndresa Qytetare

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!