Zgjedhorja e nis me kompromis për çështjet e vogla, shqiptarët do paguajnë më shumë për fushatat e partive

schedule18:05 - 26 Maj, 2020

schedule 18:05 - 26 Maj, 2020

Pas ndërprerjes që shkaktoi shembja e teatrit, reforma zgjedhore rifilloi punën me frymë më të lartë dakordësie. Këshilli Politik arriti të zgjidhë disa çështje të vogla të ngelura hapur, siç është shkurtimi i periudhave zgjedhore, duke shmangur votimin në qershor, që përkonte edhe me sezonin turistik.

“Do të shkurtohet nga 15 prilli në 15 maj dhe nga 15 tetori deri në 15 nëntor”, u shpreh Damian Gjiknuri.

“Kjo i jep mundësi, jo vetëm zgjedhësve të marrin pjesë në numër më të lartë”, u shpreh Oerd Bylykbashi.

“Këta nuk i japin të drejtës diasporës për të votuar dhe heqin fashën kur emigrantët kthehen në atë periudhë”, tha më tej Rudina Hajdari.

Partitë kanë rënë dakord që fushatat e tyre të financohen më shumë nga shteti, dhe më pak nga sponsorët privatë, duke jua shtuar kështu barrën taksapaguesve, me qëllim që të mbahen larg zgjedhjeve paratë e pista.

Ende e hapur është garantimi i barazisë gjinore, por ka dakordësi për të ndihmuar futjen e femrave në politikë.

“Një në tre emra, minimalisht të jenë nga gjinia femërore dhe të shoqëruara me sanksione përkatëse ku ende nuk kemi gjetur një model përfundimtar dhe i është lënë ekspertëve për të eliminuar disa shqetësime që kanë ndodhur”, tha Gjiknuri.

Gjithsesi, çështje të mëdha, si krimet zgjedhore apo depolitizimi i administratës elektorale, ende nuk janë prekur. Ata do të nisin diskutimin të enjten.

“Do të kemi në diskutim në ditët në vijim janë masa që rregullojnë rolin e organeve ligj-zbatuese. Masat që do të merren në lidhje me garantimin që kutia e votimit nuk mbushte, të shërbejë që ato vota aty janë vota zgjedhshi të vertetë”, u shpreh Oerd Bylykbashi.

Rudina Hajdari i ka kërkuar Këshillit Politik edhe miratimin e një ligji për referendumet, që qytetarët të vendosin drejtpërdrejtë.