Policia e Tiranës ka proceduar penalisht Sekretarin e Partisë Demokratike, Flamur Noka, pas incidentit që ndodhi në mesditë me disa votues në një qendër votimi në Vorë. Dy prej tyre e kallëzuan penalisht për kanosje dhe pengim për të votuar.
Incidenti u bë publik me zë dhe figurë, ku Noka shfaqej agresiv madje edhe duke kërcënuar votuesit. Të paktën 2 vepra penale të lidhura me procesin zgjedhor, “Kanosja apo dhunimi ndaj pjesëmarrësve në zgjedhje”; Pengimi i zgjedhësit”, dukeshin qartazi në qendrën e votimit, kur Noka ishte i shoqëruar edhe nga Albana Vokshi.
Megjithatë, oficerët e Hetimit të Krimit Ekonomik dhe Financiar në Policinë e Tiranës, pas komunikimit me prokurorin, kanë bërë referimin vetëm me akuzën e “Kanosjes apo dhunimit ndaj pjesëmarrësve në zgjedhje”, duke proceduar në gjendje të lirë Flamur Nokën. Procedimi ka nisur në bazë të kallëzimeve të dy shtetasve që Noka i ka penguar dhe kanosur për të ushtruar të drejtën e votimit.
Në njoftimin zyrtar të Policisë së Tiranës thuhet se materialet proceduriale do t’i referohen SPAK-ut për hetime të mëtejshme. SPAK merr kompetencë të zgjeruar kur veprat penale të lidhura me zgjedhjet kryhen nga: Zyrtarë të lartë publikë; Organizatë kriminale; Grup i strukturuar kriminal; Bandë e armatosur; Organizatë terroriste.
Rasti i Vorës, të paktën me aq sa është publikuar, është kompetencë e SPAK, duke qenë se Flamur Noka është zyrtar i lartë publik. Por se çfarë do të dalë nga hetimet tashmë do të vendoset nga Prokuroria e Posaçme.
Ndërsa nga ana tjetër, nisur nga pretendimet e Partisë Demokratike, KQZ u hoqi akreditimin të gjithë vëzhguesve të KZAZ nr.27 në Vorë.
Njoftimi:
Specialistët për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar në DVP Tiranë, pasi komunikimit me Prokurorin referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin
F. N, me detyrë Sekretar i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, për veprën penale “Kanosja/dhunimi ndaj pjesëmarrësve në zgjedhje”.
Procedimi në gjendje të lirë nisi pasi në bazë të kallëzimeve të shtetasve Xh. A., 29 vjeç dhe M. D., 33 vjeç, ky shtetas ditën e sotme, në Vorë, i ka penguar dhe kanosur për të ushtruar të drejtën e votimit.
Materialet procedurale do t’i referohen Spak, për hetime të metejshme./abcnews.al