Mehmet Zenka nga Unioni Demokratik i Shqiptarëve në Mal të Zi dha një intervistë për “Ballkan Update” me gazetaren Linda Karadaku, ku foli për zgjedhjet lokale dhe ato presidenciale që do të mbahen atje. Sa i përket zgjedhjeve presidenciale, tha se UDSH mbështet kandidatin që është pro evropian.
Ai shtoi se nëse do të fitonte një kandidat që mbështet politikën serbe, atëherë do të jetë e vështirë për shqiptarët që jetojnë atje.
“Këtu kemi të zgjedhim midis politikave. Kandidati më kryesor për pretendent për president përpos Gjukanovic është dhe Andrea Mandic. Aty qëndron edhe problemi sepse nuk kemi zgjedhjen e mesme që do të ishte më optimale për të gjithë popullin por kemi radikalizim të situatës ku në një krah kemi Gjukanovic i cili përfaqëson politikën pro evropiane dhe një politikë që anëtarësoi Malin e Zi në NATO, pranoi shtetin e Kosovës dhe është mburoja e fundit kundrejt agresionit politik. Në krahun tjetër, si përfaqësuses të politikës serbe, Andrea Mandic.
Kemi edhe një krah të vogël të Vuçiç, i cili nuk do ta kandidojë raundin e parë. Kemi dy taborre, pro evropian dhe ruso serb. Neve normalisht si pakicë e cila jemi autoktonë në Mal të Zi dhe kërkojmë statusin dhe vendin tonë në Malin e Zi, siç na takon me të gjithë atributet e shqiptarëve në Mal të Zi dhe konform të programeve tona politike do të përkrahim politikat që na kanë bërë pjesëtar të NATO-s dhe dhe dëshirojnë që të anëtarësohet në BE.
Nuk mund të jemi me politika që përdorim një retorike antishqiptare dhe që thërret ushtrinë që të hyjë në Kosovë dhe fton ata kohëra të vjetra të fillim të viteve ’90 ku edhe pakicat u gjetën në shënjestër të politikës së tyre.”, tha ai./abcnews.al