Ekstremi i djathtë kërkon pushtetin/ Francë, mbahet raundi i dytë i zgjedhjeve parlamentare

schedule07:50 - 7 Korrik, 2024

schedule 07:50 - 7 Korrik, 2024

Franca po voton në një nga zgjedhjet e saj më të rëndësishme në vite, ku e djathta ekstreme  shpreson për një fitore historike.

Kjo është hera e parë që Tubimi Kombëtar i Marine Le Pen dhe Jordan Bardella ka pasur një shans real për të drejtuar qeverinë dhe për të marrë kontrollin e plotë të Asamblesë Kombëtare.

Por pas fitores së kësaj force politike në raundin e parë të dielën e kaluar, qindra kandidatë rivalë u larguan për t’u dhënë të tjerëve një shans më të mirë për të mposhtur të djathtën ekstreme.

Janë tërhequr 217 kandidate në të gjithë Francën, nga të cilët 130 kandidatë të Frontit Popullor dhe 81 nga aleanca centriste e Presidentit Macron.

Pas raundit të parë të dielën e kaluar Tubimi kombëtar u duk se pati një mundësi për fituar një shumice te plote prej 289 nga 577 vendet e Asamblesë Kombëtare.

Por sondazhet përfundimtare të premten, pas tërheqjes së shumë kandidatëve nga e majta radikale, qendra, dhe deri tek konservatorët e Macron, treguan se kjo ishte e pamundur, dhe partia e Le Pen nuk mund të arrijë më shumë se 210 vende.

Pavarësisht sondazheve gjithçka mund të ndodhë. Nëse Tubimi kombëtar arrin mbi 250 vende, ajo mund të kërkojë aleatë për të formuar një qeveri të pakicës. Por kjo sipas analisteve nuk do te krijonte stabilitet pasi qeveria shume shpejt do të përballej me një votë mosbesimi dhe sipas kushtetutës, Franca nuk mund të ketë zgjedhje të tjera të përgjithshme për të paktën një vit tjetër.

Një tjetër skenar i mundshëm është një “koalicion i madh” që do të përfshinte shumicën e partive të tjera, me përjashtim të partisë radikale Franca e papërkulur (LFI), të cilën aleanca Macron dhe konservatorët e refuzojnë si ekstremiste.

Por, të Gjelbërit duken jashtë këtij skenari, pasi udhëheqësja e tyre Tondelie ka bërë të qartë se “nuk do të ketë kryeministër makronist”, çfarëdo që të ndodhë.

Flitet gjithashtu për një qeveri teknokrate, të ngjashme me ato që drejtuan Italinë gjatë krizës së borxhit të eurozonës. Por në vend të zgjedhjes së ekspertëve nga jashtë politikës, kjo qeveri mund të përfshijë politikanë me ekspertizë të provuar në fusha të veçanta. Në çdo rast, Franca po hyn në një territor të pa eksploruar, sipas analisteve.

Vetë presidenti Macron ka thënë se nuk do të japë dorëheqjen dhe do të vazhdojë të mbajë tre vitet e fundit në detyrë.

Në Paris dhe qytete të tjera franceze ekziston frika për akte dhune, pavarësisht nga rezultati i votimit, ndërsa 30 mijë policë shtese janë mobilizuar në gjithë vendin. Një protestë e planifikuar jashtë Asamblesë Kombëtare të dielën në mbrëmje është ndaluar.

Shpallja e zgjedhjeve të parakohshme nga Macron, ndërkohë që Franca po përgatitet për Lojërat olimpike është kritikuar nga një pjesë e opinionit në vend, sipas të cilit kjo situatë e ndezur politike do të shtonte mundësinë për trazira.

/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!