Mediat turke raportojnë se aktualisht kandidati i opozitës në Stamboll po kryeson garën ndaj rivalit të tij ish-kryeministrit Binali. Edhe pse Partia e Erdogan AK, mbetet e para, presidenti turk tashmë ka humbur qytetet e mëdha.
Pas Ankarasë, opozita turke duket se do të marrë dhe Stambollin, në kuadër të zgjedhjeve vendore. Mediat turke raportojnë se në garën për zgjedhjen e kryetarit të bashkisë së Stambollit, janë numëruar deri tani 31.186 kuti votimi ndërsa 84 kuti janë subjekt i ankesave. Partia Republikane Popullore, CHP në Turqi aktualisht kryeson garën për kryetar të bashkisë së Stambollit përballë kandidatit të partisë në pushtet, AK. Autoritete zgjedhore në vend cituar nga agjencia e lajmeve Anadol raportojnë se vijon procesi i ankesave.
Ekrem Imamoğlu, kandidati i opozitës turke, numëron 4 milionë e 159 mijë e 650 vota, ndërsa Binali Yıldırım 4 milionë e 131 mijë e 761 vota të regjistruara tashmë në sistem. Një fitore e përgjysmuar kjo për koalicionin e Erdogan, që dhe pse ka marrë më shumë vota, ka humbur Ankaranë. Në kryeqytet fitoi social demokrati Mansur Javas.
Në nivel kombëtar ky është suksesi i radhës për presidentin Erdogan. Një sukses i errësuar nga ai që u profilizua si një triumf historik i opozitës në Ankara, e cila festoi mbrëmjen e së dielës përballë një turme të madhe mbështetësish. Pas një çerek shekulli kryeqyteti turk është marrë nga duart e konservatorëve islamikë, duke shënuar një kthesë në politikën turke
Opozita ka fituar dhe Adanën dhe Antalian, qendra të rëndësishme në bregun mesdhetar duke i hequr nga duart e të djathtës islamike dhe nacionaliste. Koalicioni i presidentit Erdogan mbetet mbi më shumë se 50 për qind i territorit të vendit. Por për forcat anti-Erdogan është gjithsesi një fitore e vogël. Në Smirnë, qyteti i tretë turk dhe një bastion tradicional laik, është konfirmuar sërish opozita.
Edhe kurdët që ishin përqendruar në juglindje të vendit, kanë marrë disa qytete përfshirë kryeqytetin e tyre Diyarbakir. AKP-ja e Erdogan mbetet parti e parë me më shumë se 45 për qind duke numëruar dhe 6% të marrë nga aleatët nacionalistë. Por socialdemokratët kanë arritur mbi 30 për qind dhe koalicioni i opozitës në përgjithësi i afrohet 40 për qindëshit.
Për herë të parë në historinë e Turqisë, një provincë do të drejtohet nga një kandidat i Partisë Komuniste, në Tunceli, në lindje të vendit Mehmet Fatih Macoglu mori një fitore historike.
Por procesi i votimit u shoqërua dhe nga ngjarje të dhunshme në juglindje të vendit, shpesh skenë e përplasjeve të dhunshme mes klaneve rivale gjatë zgjedhjeve. Viktimat janë të paktën katër, ndërsa të plagosurit me dhjetëra./abcnews.al