Brukseli “vulos” zgjedhjet, BE: Ishin të mira dhe konkurruese

schedule17:13 - 13 Maj, 2025

schedule 17:13 - 13 Maj, 2025

Gjithëpërfshirëse dhe transparente i ka cilësuar Bashkimi Europian zgjedhjet parlamentare të mbajtur të dielën në Shqipëri. Në një deklaratë përmes përfaqësues së lartë Kaja Kallas, Brukseli vlerëson edhe votimin për herë të parë të diasporës shqiptare.

“Zgjedhjet u menaxhuan përgjithësisht në një mënyrë gjithëpërfshirëse dhe transparente, dita e zgjedhjeve ishte e qetë dhe e organizuar mirë, pavarësisht disa mangësive.  Zgjedhjet në përgjithësi ishin konkurruese dhe të zhvilluara profesionalisht, dhe kandidatët në përgjithësi ishin në gjendje të bënin fushatë lirisht, megjithëse disa raportuan se u përballën me kërcënime”, thuhet në deklaratë.

Po ashtu vlerësohet edhe puna e institucioneve të drejtësisë për të ndjekur dhe hetuar krimet zgjedhore.,

“Përpjekjet e koordinuara për të hetuar dhe ndjekur penalisht krimet zgjedhore janë një zhvillim i mirëpritur dhe ndjekja është e nevojshme për të adresuar shqetësimet e vazhdueshme të keqpërdorimit zgjedhor”, thuhet në deklaratë.

Bashkimi Europian do të ndjekë nga afër zhvillimet zgjedhore deri në certifikimin përfundimtar të rezultateve. Ndaj në deklaratë thuhet se të gjitha forcat politike duhet të sigurojnë funksionimin e vazhdueshëm të institucioneve të vendit.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!