Zgjedhjet në Serbi: Ky është rezultati i shqiptarëve dhe i partive të tjera

schedule07:52 - 4 Prill, 2022

schedule 07:52 - 4 Prill, 2022

Sipas rezultateve nga numërimi i më shumë se i dy të tretës së votave të zgjedhjeve parlamentare, Koalicioni i Shqiptarëve të Luginës ka marrë 0.3 për qind, ndërsa Alternativa Demokratike Shqiptare ka marrë 0.1 për qind. Shumicën e votave i ka marrë partia e Vuçiqit.

Në Serbi, sot është votuar për zgjedhjet e parakohshme parlamentare, zgjedhjet e rregullta presidenciale dhe zgjedhjet lokale në 14 qytete, përfshirë Beogradin. Sipas të dhënave të Qendrës për Zgjedhje të Lira dhe Demokraci (CeSID), janë numëruar 77,1 për qind e votave në Serbi. Partia Progresive Serbe, që e udhëheq presidenti serb, Aleksandër Vuçiq, ka fituar 43.1 për qind, ndërsa pas tyre është lista e Serbisë të Bashkuar për Fitore, me 13.2 për qind.

Koalicioni i Shqiptarëve të Luginës ka marrë 0.3 për qind, e Alternativa Demokratike Shqiptare mori 0.1 për qind të votave.

Më herët u raportua se prijësi i koalicionit të Shqiptarëve të Luginës, Shaip Kamberi, pritet të jetë edhe njëherë deputet në Parlamentin e Serbisë.

Ndërsa, sipas këtyre rezultateve të cilat i transmeton Danas, nga partitë e pakicave të tjera në Serbi, Aleanca e Hungarezëve të Vojvodinës ka marrë 1,6 për qind; Partia e Drejtësisë dhe Pajtimit – një për qind; “Së bashku për Vojvodinën” 0,7 për qind; SDA Sanxhaku 0,5. /Express/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!