Na ndajnë vetëm 24 orë nga zgjedhjet e parakohshme parlamentare, në Malin e Zi, ku garojnë 15 parti e koalicione për 81 vende në parlament.
Gazetarja e ABC News, Linda Karadaku ka mundur të sigurojë një prenoncim nga Ministri i Administratës Publike, Marash Dukaj, i cili është shprehur se ata kanë dhënë besën për të vazhduar zhvillimin e të gjitha trevave shqiptare ku jetojmë e veprojmë.
Sipas tij, vota duhet t’u drejtohet vetëm subjekteve shqiptare dhe forumit shqiptar.
“Kemi bërë një fushatë spektakolare, që asnjëherë më parë nuk është realizuar. Shqiptarët e Mali të Zi e kanë cilësuar si oponent politikë. Slogani jonë tregon që jo vetëm kemi dhënë besën për të vazhduar zhvillimin e të gjitha trevave shqiptare ku jetojmë e veprojmë. Ne e kemi dëshmuar si forum në Tuz se si ne qeverisim, se si ne veprojmë. E kemi dëshmuar për një vit në qeveri se si ne drejtojmë institucionet më të rëndësishme. Si asnjëherë më parë, ne jemi integruar për një vit dhe natyrisht do të vazhdojmë të integrohemi, por me identitet. Vota duhet t’u drejtohet vetëm subjekteve shqiptare dhe forumit shqiptar. Subjekti shqiptar që e ka marrë votën 30 vite e më shumë, këtë nuk e kanë shpërblyer. Shqiptarët kanë votuar boll të huajt, ne duhet të votojmë njëri-tjetrin dhe të jemi të sigurt që do të përfaqësojmë ashtu si duhet dhe me nder”, u shpreh ai./abcnews.al