KUKËS- Edhe pse kanë kaluar tri orë nga përfundimi zyrtar i votimit në Kukës, procesi i numërimit nuk ka nisur ende. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve u bëri thirrje partive politike që të emërojnë pa humbur kohë anëtarët e grupeve të numërimit.
Ky institucion u kujton partive detyrimin ligjor, ndërsa thotë se procesi i numërimit duhet të vijojë pa ndërprerë.
“Pas përfundimit të marrjes në dorëzim të të gjitha kutive të votimit dhe pranimit të tyre të rregullta në masën 100% nga KZAZ Kukës, KQZ Shqipëri i bën thirrje subjekteve zgjedhore që kanë të drejtë të emërojnë anëtarët e Grupeve të Numërimit të Votave që të veprojnë pa humbur kohë dhe të vijojnë me detyrimin ligjor të numërimit të votave në mënyrë të pandërprerë”, apeloi KQZ.Në zgjedhjet e pjesshme për Bashkinë e Kukësit nuk ka pasur incidente dhe parregullsi.
Kutitë e votimit, rreth orës 22:00 u vendosën në sallën e numërimit, për të nisur procesi. Ende numërimi nuk ka nisur për arsye se mungojnë numëruesit qe cakton Partia Demokratike.
Grupet e numërimit përbëhen nga:
-2 anëtarë PS
-1 anëtar PD
-1 anëtar PL
Tashmë gjëja e vetme që ka mbetur është leximi i vullnetit të qytetarëve kuksianë, të cilët janë shprehur këtë të diel me votë për dy konkurrentët Albert Halilaj nga PS dhe Emri Vata nga koalicioni “Bashkë Fitojmë”/n.m. abcnews.al