Ndërkohë që në SHBA, janë duke u zhvilluar votimet për zgjedhjet presidenciale, profesori i marrëdhënieve ndërkombëtare, Jordan Jorgji ka thënë në një lidhje me Skype për “News Hour” se gara është shumë e vështirë, ndërsa më favorite në kampin e Ballkanit është Kamala Harris.
Ai i ka konsideruar këto zgjedhje si më të rëndësishmet në histori, pasi bota po formon aleancat e saj mes superfuqive, si Kina dhe Rusia.
Sipas Jorgjit, janë 7 shtete që do të vendosin se kush do të jetë presidenti i ardhshëm i SHBA dhe kjo situatë e krijuar është shumë e veçantë për shkak të polaritetit të madh.
“Është pak e vështirë për t’iu përgjigjur kësaj pyetje, sepse vetë shoqëria amerikane është e polarizuar. Edhe shqiptarët janë të konvenuar mes vijës politike të Trump dhe vijës së Biden.
Normal që Biden është më në favor, më konkretisht Harris është më favorite në kampin e Ballkanit. Pra, nuk duhet të jemi të nxituar në konkluzione dhe pse ka një dukje që Biden ka një angazhim më të madh në Ballkan.
Sot bota ka dy konflikte në Ukrainë dhe në Lindjen e Mesme, ndërsa Kina është një superfuqi në ngritje dhe vihet re një lloj renditje mes Rusisë, Kinës dhe Iranit.
Kjo presidencë është shumë e rëndësishme, madje zgjedhjet më të rëndësishme në histori, pasi do të varet e ardhmja e boshtit të demokracisë dhe si do të jetë e ardhmja e botës.
Është një situatë shumë e veçantë, e polaritetit të madh, do të jenë rezultatet në 7 shtete që do të vendosin se kush do të jetë presidenti i ardhshëm i SHBA. Gjithashtu, lidhet dhe se me cilat shtresa do të shkojnë për të votuar, do të shkojnë më shumë gra, më shumë burra, më shumë latino-amerikanë. Pra, do të varet nga pozicionimi i kolegjit të zgjedhësve dhe se si shtresa të margjinalizuara do të qasen në votimin e këtyre shtresave që janë të veçantë”, tha Jorgji./abcnews.al