Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është i vendosur të mos tejkalojë asnjë afat të përcaktuar për procesin zgjedhor të 30 Qershorit. Përmes një deklarte për shtyp zëdhënësja e KQZ-së i ka kujtuar partive politike detyrimet e parashikuara në Kodin Zgjedhor dhe penalitetet në rast se nuk respektojnë afatet.
Rreth gjashtë muaj para zgjedhjeve vendore, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i tërheq vëmendjen partive politike të regjistrohen për të marrë pjesë në zgjedhje brenda 21 Prillit. Nëse do të garojnë në koalicion duhet ta regjistrojnë brenda 1 Majit. Në rast të mos respektimit të afateve zëdhënësja e KQZ-së ju kujton penalitetet.
“Ato nuk do të kenë mundësi të marrin pjesë në zgjedhjet e datës 30 Qershor 2019. Nëse nuk respektojnë afatin e dytë, ato nuk mund të konkurrojnë si koalicione zgjedhore. Në të shkuarën KQZ -ja është kritikuar nga misionet vëzhguese ndërkombëtare për regjistrimin e subjekteve zgjedhore përtej afateve ligjore, ndaj është veçanërisht e vendosur këtë herë që të mos mirëkuptojë dhe as tolerojë vonesat në aplikimin për regjistrim. Depozitimi i listave shumemërore të kandidatëve për këshillat bashkiakë dhe kandidatëve për kryetar bashkie duhet të bëhet jo më vonë se data 13 maj. Nëse partitë politike nuk e respektojnë këtë afat, ato do çregjistrohen dhe nuk do figurojnë në fletën e votimit”, tha Hoxhaj.
Ndërkohë brenda 18 Marsit, partitë politike duhet të propozojnë anëtarët e Komisioneve të Zonave të Administrimit Zgjedhor. Pas tyre ngrihen Komisionet e Qendrave të Votimit për të cilat partitë kanë kohë deri më 30 Maj si dhe grupet e numërimit të votave, detyrim të cilin partitë duhet të plotësojnë para 18 Qershorit.
“Në rast se partitë nuk e respektojnë këtë afat, kjo e drejtë zbret tek partitë e tjera parlamentare të të njejtit grupim dhe, në instancë të fundit, tek KQZ-ja, e cila do të emërojë kryesisht komisionerët deri në plotësimin e numrit të nevojshëm të anëtarëve për vendimmarrje. Administrata zgjedhore duhet të trajnohet dhe kualifikohet për kryerjen e detyrave. Vonesat në propozime cenojnë përgatitjen profesionale të komisionerëve, rrezikojnëmbarëvajtjen e procesit, dëmtojnë cilësinë e zgjedhjeve”, tha zëdhënësja.
Fushata zgjedhore nis me 30 Maj ndërkohë KQZ iu kujton partive politike kritikat e vëzhguesve ndërkombëtarë për zhvillimin e saj para afatit. Njëkohësisht iu kërkon të depozitojnë brenda datës 3 Qershor numrin e llogarisë bankare për pranimin e dhurimeve të fondeve jo publike dhe raportet financiare brenda 31 Marsit.
“Mosrespektimi i detyrimeve lidhur me transparencën financiare është i lidhur meaplikimin e sanksioneve të rrepta administrative”, theksoi Hoxhaj./abcnews.al