Zgjedhjet europiane/ Gjipali: Nuk priten ndryshime në politikat ndaj Ballkanit Perëndimor

schedule13:36 - 7 Qershor, 2024

schedule 13:36 - 7 Qershor, 2024

Qendrat e votimit për zgjedhjet e Parlamentit Evropian janë hapur këtë të premte në Republikën Çeke dhe në Irlandë, në ditën e dytë të këtij procesi. Përgjatë katër ditëve, sa zgjasin këto zgjedhje, do të mund të votojnë 360 milionë shtetas të 27 vendeve anëtare të bllokut evropian.

Lidhur me këto zgjedhje ka folur në “Tirana Live” dhe eksperti për integrimin, Gledis Gjipali, i cili ka thënë se nuk priten ndryshime në politikat ndaj Ballkanit Perëndimor.

Ai ka theksuar se pritet një forcim të së djathtës në disa vende të rëndësishme të BE si Gjermania apo Holanda.

“Pritshmëritë dhe në varësi të sondazheve pritet një forcim të djathtës në disa vende të rëndësishme të BE si Gjermania apo Holanda.

Ndërkohë, pritshmëritë nuk janë të mëdhaja sa i takon pjesës së zgjerimit të Ballkanit Perëndimor, për vetë faktin që këto zgjedhin përcaktojnë Parlamentin Europian, i cili është institucioni që ka më pak rëndësi apo më pak në dorë nga të gjithë institucionet e BE, edhe nuk pritet të ketë ndryshim shumë të madh që dhe të konfigurojë dhe në procesin e zgjerimit apo të anëtarësimit të Shqipërisë apo Ballkanit Perëndimor.

Aktualisht më me rëndësi shikohet se sa e fortë do të jetë e djathta në Gjermani, Francë dhe Holandë, sepse këtu ndikon në politikën e brendshme që më pas reflektohet në politikën e institucioneve të BE, por jo drejtpërdrejtë për rezultatin që nxjerr parlamenti europian”, tha Gjipali./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!