Opozita ka vendosur si objektiv zhvillimin e zgjedhjeve të parakohshme në përfundim të tryezës konsensuale për reformën zgjedhore.
Por i mësuar me lojërat e politikës me kohën, aleati i demokratëve, Dashamir Shehi thekson se zgjedhjet e parakohshme kanë vlerë nësë zhvillohet deri në qershor të këtij viti.
“Zgjedhjet eparakohëshme janë të nevojshme, janë të domosdoshme, por janë të parakohshme deri në 30 qershor. Kështuqë mendoj që gjithë forca opozitare duhet përqendruar që të zhvillohen në këtë periudhë. Ditën që ndonjëri mendon se mund të bëhen nga vjeshta e tutje, vetëm për tu quajtur të parakohëshme, për mua skanë vlerë”.
Opozita ka hequr dorë nga kushti i disa muajve më parë dhe tani nuk do të refuzonte përballjen në zgjedhje edhe me një qeveri të drejtuar nga Edi Rama.
“Nuk më tremb Edi Rama, është një gogol që tremb të vetët”.
Tryezën e dakordësuar mes palëve e sheh si një dritë jeshile për t’i dhënë vendit ndryshimin ndonëse besimin te qëndrueshmëria politike e kundërshtarit e ka zero.
“Nuk kemi asnjë besim, në politikë këto janë rregullat. Rregullat kërkojnë që një letër të quhet e pranueshme dhe konsensuale, të ketë dy firma. Një njeri që nuk e kemi besuar për 10 vjet nuk kemi pse e besojmë për 10 ditë”.
Opozitës i kërkon të rikthehet te protestat si i vetmi instrument për të nxitur rotacionin politik.
“Unë mbështes idenë e protestave. Popujt seriozë kur janë të mërzitur, dalin në rrugë dhe e tregojnë mërzinë e tyre. Gjykoj që nga të gjithë këto bla-bla-të tona, opozita armën më të madhe ka sheshin atje, dhe flamujt opozitarë”.
Koalicioni opozitar ka dalë me një qëndrim të përbashkët sa i takon tryezës konsensuale të reformës zgjedhore, ndryshime që sipas tyre do të sigurojnë hapësirën për të çuar vendin drejtë zgjedhjeve të parakohshme. /abcnews.al