Në Maqedoninë e Veriut po mbahen zgjedhjet parlamentare dhe balotazhi për presidentin e vendit.
Sipas Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve (KSHZ), deri në orën 15:00, kanë votuar 32,28% e qytetarëve, ose 510.919 votues.
Në garën për Parlamentin e ri marrin pjesë 17 parti dhe koalicione. Beteja kryesore zhvillohet mes VMRO DPMNE-së dhe LSDM-së në kampin maqedonas, ndërsa në atë shqiptar mes Frontit Evropian, të kryesuar nga Bashkimi Demokratik për Integrim, dhe koalicionit opozitar VLEN.
Në radhët e Frontit Evropian garojnë edhe pesë parti politike të bashkësive etnike turke, rome dhe boshnjake.
Zgjedhjet zhvillohen me lista të mbyllura, sipas sistemit proporcional në gjashtë njësi zgjedhore dhe, në çdonjërën prej tyre, zgjidhen nga 20 deputetë.
Parlamenti i Maqedonisë së Veriut i ka 120 ulëse. Partitë shqiptare betejën kryesore do ta zhvillojnë në njësitë zgjedhore një, dy dhe gjashtë, ku edhe jeton popullata shqiptare.
Bazuar në sondazhet, dhe në veçanti në rundin e parë të zgjedhjeve presidenciale që u mbajt më 24 prill, VMRO DPMNE-ja është favorite për një fitore të thellë në këto zgjedhje./abcnews.al