Zgjedhjet e 30 korrikut në universitete, Vokshi: Vendimi i qeverisë, antikushtetues

schedule15:38 - 1 Korrik, 2020

schedule 15:38 - 1 Korrik, 2020

Ish-deputetja e Partisë Demokratike, Albana Vokshi ka reaguar në lidhje me caktimin e datës së zgjedhjeve në Universitete.

Në një deklaratë për mediat Vokshi e ka quajt antikushtetues zgjedhjet e 30 korrikut. Ajo thekson se qeveria i heq të drejtën e votës 75% të studentëve për të emëruar në krye të rektoratit të Tiranës ish gjyqtarin me pasuri të pajustifikuar Artan Hoxha.

Ndër të të tjera ish-deputetja thotë se zgjedhje pa votues në universitete, pa studentë, me shantazhe dhe presione duhet të anulohen, duke theksuar se procesi duhet shtyrë dhe të rihapet nga e para për të garantuar garë të lirë e të ndershme.

LEXO EDHE:Zgjedhjet në Universitete, ministria shpall datën

Deklarata e plotë:

Zgjedhjet universitare janë ngjarja me domethënëse për demokracinë e universiteteve, por qeveria e Edi Ramës synon t’i shndërrojë ato në zgjedhje moniste për të emëruar më të besuarit në krye të fakulteteve dhe universiteteve, veçanërisht në Tiranë.

Këtij qëllimi kriminal i shërben edhe vendimi më i fundit i Ministrisë së Arsimit, që ka caktuar datën 30 Korrik për zgjedhjet në univeristete.

Nga pikëpamja ligjore, vendimi i qeverisë “Rama” është antikushtetues.

Nga pikëpamja njerëzore, është kriminal. Ai vë në rrezik shëndetin e studentëve dhe pedagogëve, të cilët i thërret në një proces zgjedhor, në një kohë kur numrat e të prekurve nga COVID dhe vatrat e infeksionit po rriten çdo ditë.

Edi Rama kërkon të bëjë me universitete atë që bëri me zgjedhjet e 30 Qershorit, të emërojë njerëzit e tij, duke eliminuar çdo mundësi për garë të ndershme.

Me vendimin antikushtetues dhe të paligjshëm të Ministres së Arsimit, qeveria ka përjashtuar 75 përqind të studentëve nga e drejta për të votuar. Ai lejon të kthehen në auditorë vetëm një pjesë të studentëve, ata që largohen këtë vit akademik, si në bachelor edhe në master, duke përjashtuar dhe duke i hequr të drejtën e votës, të gjithë pjesës tjetër të stundetëve.

Ministrja e Arsimit nuk lë asnjë mundësi për shpalljen e platformave të dekanëve apo rektorëve, nuk lë asnjë mundësi për fushatë me studentët dhe pedagogët, pasi fakultetet janë të mbyllur, studentët janë të larguar për shkak të pandemisë.

Kjo situatë e krijuar me vetëdije nga Edi Rama dhe Besa Shahini për të kapur dhe kontrolluar edhe universitetet, si çdo qelizë tjetër të këtij shteti, është e papranueshme!

Është një përpjekje për të rrënuar edhe atë pak që ka mbetur nga autonomia në arsimin e lartë.

Është shuarje e çdo shprese që kishin një vit më parë studentët në protestën e tyre.

Këto zgjedhje pa votues, pa studentë, me shantazhe dhe presione duhet të anullohen! Zgjedhjet në universitete duhet të kryhen në ligjshmëri të plotë, ku të respektohet e drejta kushtetuese për të zgjedhur dhe për t’u zgjedhur. Procesi duhet shtyrë dhe të rihapet nga e para për të garantuar standarde, konkurencë dhe garë të lirë e të ndershme.

Vendimi antikushtetues i qeverisë së Edi Ramës për të bërë zgjedhjet në universitete më 30 Korrik i shërben vetëm emërimit pa garë në krye të rektoratit të një shërbëtori të pushtetit, si Artan Hoxha, dekanit famëkeq të Fakultetit Juridik.

Përveçse njihet si ish gjyqtari me pasuri të pajustifikuar 200 mijë dollarë, Artan Hoxha, mbahet mend si dekani që futi pabesisht policinë në mjediset e universitetit për të rrahur studentët në kulmin e grevës së tyre.

Atë që nuk bëri dot Emiljano Shullazi 4 vjet më parë, nuk mund ta bëjë sot me një vendim antikushtetues Besa Shahini dhe Edi Rama./abcnews.al