Zgjedhjet, Amerika përballë botës/ Profesorët amerikanë: Një president nuk e ndryshon dot kursin e Amerikës

schedule15:43 - 27 Mars, 2024

schedule 15:43 - 27 Mars, 2024

Zgjedhjet presidenciale në Amerikë ndiqen me interes të madh në mbarë botën, sidomos për të kuptuar qasjen e politikës së jashtme që premton kreu i ri i Shtëpisë së Bardhë.

Gara shekullore me Kinën dhe Rusinë, në këtë fushatë bëhet më delikate për shkak të dy fronteve të luftës: ajo në Ukrainë dhe tjetra në Gaza.

Edhe pse qeveria amerikane është kritikuar shpesh nga qytetarët e saj për mbështetjen e Izraelit, të dy kandidatët kryesorë për Shtëpinë e Bardhë, Biden dhe Trump, janë në të njëjtin kurs. Të dy janë kundër Hamas.

Por e nuk është e njëjta gjë për Ukrainën. Ndryshe nga Biden i cili mbështet Ukrainën me shumë armë e para, Trump, ka premtuar që të ndërpresë këto ndihma menjëherë dhe të vendosë Amerikën të parën, dhe paratë e saj, për qytetarët  e saj.

Por, a mund ta ndryshojë një President i ri tërësisht politikën e jashtme të Amerikës, dhe a mund të zhbëhen disa angazhime të mëdha, sidomos ato të marra në kuadër të NATO-s?

David Damore, Profesor i Shkencave Politike në Universitetin e Nevadës, shpjegon se sa e fortë është diplomacia amerikane në themelet e saj.

“Shteti ynë federal funksionon në një formë të tillë e cila është e vështirë të zhbëhet apo të rrëzohet nga një president, për një mandat apo nga një administratë e caktuar. Ky sistem është aq i fortë saqë nuk mund të ndryshojë kaq lehtë, e aq më pak të iki në një drejtim të kundërt me rrugën e ndjekur deri tani”.

Danny Thomson, një politikan dhe biznesmen i angazhuar në Nevada, thotë se paravarëisht se qytetarët amerikanë kur votojnë, shohin cështje të tjera, si ekonomia, shëndetësia, etj dhe nuk ndikohen nga politika e jashtme, është pikërisht kjo pika e fortë e Trump.

“Unë mendoj se, nëse Trump ka sot atë sukses që ka në Amerikë, është pikërisht prej politikës së tij të jashtme dhe konceptit të tij për rolin e SHBA-ve në botë. Teza, Amerika e para, paratë brenda vendit për qytetarët tanë dhe jo jashtë kufijve për të rregulluar botën, i kanë garantuar atij mbështetje popullore”.

Trump po ashtu ka bërë deklarime provokuese lidhur me angazhimin në NATO, dhe ka kritikuar vendet e tjera anëtare që japin më pak para se sa Amerika, duke dhënë edhe sinjale për reduktimin e këtij kontributi.

*Këto raportime u realizuan me ndihmën e Ambasadës Amerikane në Tiranë dhe Qendrës për Shtypin e Huaj në Departamentin e Shtetit.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!