Krerët e agjencive të sigurisë në Shtetet e Bashkuara paralajmëruan të martën Kongresin mbi rrezikun e ndërhyrjes ruse në zgjedhjet afatmesme që do të mbahen më vonë gjatë vitit. Ata thanë se ndryshe nga zgjedhjet presidenciale, këtë herë administrata nuk do të kapet e papërgatitur.
Zyrtarë të lartë të administratës Trump paralajmëruan të martën Kongresin amerikan për përpjekjet e vazhdueshme të Rusisë për të ndërhyrë në zgjedhjet afatmesme të Kongresit që do të mbahen këtë vit. Bëhet fjalë për një proces për sigurinë e të cilit qeveria federale do të lëvrojë 380 milionë dollarë.
Në një konferencë të ndjekur nga 50 anëtarë të Dhomës së Përfaqësuesve, shefat e FBI-së, Departamentit të Sigurisë së Brendshme dhe Inteligjencës Kombëtare u bënë thirrje autoriteteve të shteteve dhe qyteteve ku do të mbahen zgjedhjet që të mbikëqyrin me kujdes procesin dhe të jenë të përgatitura për kërcënime.
Duke folur për gazetarët pas raportimit, drejtoresha e Sigurisë së Brendshme Kirstjen Nilsen deklaroi se ka të dhëna që sinjalizojnë përpjekjet ruse për të ndërhyrë në zgjedhje.
“Ne kemi konstatuar se ata vazhdojnë të ndërmarrin fushata të ndryshme”, tha Nilsen.
Ajo shtoi se vende të tjera me kapacitete për të influencuar janë Kina dhe Irani. Chris Krebs, ekspert për sigurinë kibernetike, tha për agjencinë e lajmeve “Reuters” se buxheti prej 380 milionë dollarësh i miratuar nga Kongresi në 5Mars do të shpërndahet më vonë gjatë javës dhe do të ndihmojë në mbrojtjen e sistemit elektoral nga sulmet informatike.
Ndërsa kryetari i komisionit për çështjet e shërbimeve sekrete, Michael MEK-KOL tha se përfaqësuesit e Kongresit janë shumë të shqetësuar. Por ai theksoi se, ndryshe nga zgjedhjet presidenciale të dy viteve më parë, këtë herë administrata nuk do të jetë e papërgatitur./abcnews.al

