Zgjaten hetimet për dosjen 184, prokurorët i ndryshojnë numrin

schedule12:38 - 23 Shtator, 2019

schedule 12:38 - 23 Shtator, 2019

Prokuroria e Dibrës ka zgjatur me 3 muaj hetimet për dosjen 184. Drejtuesi i kësaj prokurorie, Rifat Kojku sëbashku me prokuroren Belina Zeneli vendosën që të ndryshojnë numrin e dosjes nga 184 në 385.

Këta dy prokurorë u caktuan më shumë se dy javë më parë për të hetuar këtë dosje, që objekt hetimi ka shitblerjen e votave në zgjedhjet e pjesshme lokale në Dibër në vitin 2016.

Dosja 184 ose siç do njihet tashmë pas vendimit të prokurorëve si dosja 385, u regjistrua 3 vjet më parë në Prokurorinë e Krimeve të Rënda, por kohët e fundit, ky organ i akuzës shpalli moskompetencën, me argumentin se objekt hetimesh nuk është një grup i strukturuar kriminal, por bashkëpunimi i thjeshtë.

Kjo dosje u bë objekt diskutimi midis institucioneve të hetimit pasi organi i akuzës Dibër i kërkoi Prokurorisë së Përgjithshme që dosjen ta hetojë organi i akuzës për Krime të Rënda, duke e kundërshtuar faktin se bëhej fjalë për bashkëpunim të thjeshtë.

Në përgjimet telefonike të publikuara nga gazeta gjermane “Bild” dëgjohen në biseda deputetë dhe zyrtarë të lartë të Partisë Socialiste, të cilët flasin me drejtues të policisë lokale dhe eksponentë të tjerë të njohur në Dibër për blerje votash. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!