Zërat e merkatos, Icardi: E kisha ndarë mendjen, Italia aty është sërish

schedule15:59 - 3 Korrik, 2020

schedule 15:59 - 3 Korrik, 2020

Ish-kapiteni i Interit, Mauro Icardi, ka treguar se dëshira e tij ishte qëndrimi te PSG-ja gjatë gjithë kohës. Javët e fundit po flitej shumë për të ardhmen e tij, madje mediat italiane dhe franceze shkruanin për një interesim të Juventusit dhe Napolit për shërbimet e tij. Megjithatë, argjentinasi thekson se ai i ka pasur idetë e qarta që në fillim.

”Që kur u transferova nga Italia në Paris, vendimi im ishte përfundimtar. Opsioni për ta blerë kartonin tim mund të aktivizohej vetëm në këtë sezon, por unë i kam pasur idetë e qarta që në sezonin e kaluar. Kur opsioni u kthye në një mundësi të vërtetë, ne e diskutuam me menaxherët dhe Leonardon. Më pas dhe familja ime ishte dakord dhe gjithçka u bë më e lehtë”, deklaron bomberi për “Le Parisien”.

”Merkato? Jam mirë në Paris. Shkoj shpesh në Itali me pushime dhe kaloj kohë me familjen atje. Tashmë ne jemi mësuar me jetesën në Paris, por dhe Italia një orë larg është me avion”, vazhdon Icardi, duke larguar zërat e merkatos që e kanë lidhur me një rikthim në Seria A.

”Cavani? Kam një marrëdhënie të shkëlqyer me Edinson, si brenda dhe jashtë fushe. Është një njeri shumë i mirë dhe do të më mungojë shumë. Për sa i përket vendimeve të trajnerit, ato duhen respektuar. Nëse ai mendon se një lojtar është më mirë për një ndeshje të caktuar, atëherë si ka të drejtë”, mbyll Icardi. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!