Zelensky zbulon telefonatën me Ramën: Vlerësojmë ndihmën e Shqipërisë

schedule11:29 - 5 Mars, 2022

schedule 11:29 - 5 Mars, 2022

Presidenti i Ukrainës Volodimir Zelensky shprehet se ka zhvilluar një telefonatë me kryeministrin e Shqipërisë Edi Rama. Ai shkruan në Twitter se folën me Ramën për pushtimin e Ukrainës nga Rusia.

Ai thotë se vlerëson ndihmën praktike dhe mbështetjen e Shqipërisë në këtë kohë të vështirë duke shtuar se po bëhet gjithçka për t’i dhënë fund luftës.

“Pata një bisedë telefonike me 🇦🇱 Kryeministrin @ediramaal. Foli për luftën kundër pushtuesve rusë. U diskutua për punën e përbashkët në kuadër të 🇺🇳. Ne vlerësojmë ndihmën praktike dhe mbështetjen e Shqipërisë në këtë kohë të vështirë. Ne po bëjmë gjithçka për t’i dhënë fund luftës. #StopRusia”, shkruan Zelensky në Twitter.

Kryeministri Edi Rama ka reaguar pas presidentit të Ukrainës, ku ka zbuluar telefonatën mes të dy liderve në kuadër të situatës së krijuar për shkak të pushtimit nga Rusia.

Rama shkruan se ka shprehur admirimin dhe solidaritetin e popullit shqiptar në Shqipëri e në Kosovë, me të dhe rezistencën ukrainase, si edhe vullnetin e plotë për të bërë gjithçka mundemi në përmasën tonë të vogël, që Ukraina të triumfojë në luftën e saj liridashëse.

Sot pata një telefonatë nga Presidenti Zelensky, i cili më falenderoi për gjithçka Shqipëria po bën në këto ditë tragjike për popullin e tij, për Europën e për mbarë botën, duke nisur nga roli ynë si bashkëpenëmbajtës me SHBA në Këshillin e Sigurimit, tek ndihmat e dhëna për ushtrinë ukrainase, si edhe angazhimi intensiv në kanalet diplomatike me partnerë të rëndësishëm, në mbështetje të Ukrainës.

I shpreha presidentit ukrainas të gjithë admirimin dhe solidaritetin e popullit shqiptar në Shqipëri e në Kosovë, me të dhe rezistencën ukrainase, si edhe vullnetin e plotë për të bërë gjithçka mundemi në përmasën tonë të vogël, që Ukraina të triumfojë në luftën e saj liridashëse”, shkruan Rama

Në lidhje me ndihmat ndaj Ukrainës, kryeministri Rama ka reaguar më herët përmes një postimi në Twitter duke thënë se Shqipëria ka dhënë kontributin e saj, por deri më tani nuk është shprehur sepse nuk kërkonte reklamë.

Disa politikanë e analistë mbrojnë Ukrainën për të sulmuar qeverinë, që sipas tyre nuk ka dhënë asnjë ndihmë konkrete! Jo vetëm e kemi dhënë, po e kemi dhënë ndër të parët. Por nuk e kemi dhënë për t’u dukur këtu në Tiranë dhe aq më pak për të luftuar me gratanongratat e Tiranës. Jam shumë krenar që pavarësisht se vend i vogël mes të mëdhenjve të botës kemi ditur të dëgjohemi me respekt në mbështetje të Ukrainës në OKB,kemi ditur të shikohemi me respekt në NATO,kemi ditur të trajtohemi me respekt nga SHBA dhe i jemi gjendur me shumë respekt Ukrainës”, shkruante Rama. /abcnews.al