Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky njoftoi se të dërguarit e Presidentit amerikan Donald Trump, Steve Witkoff dhe Jared Kushner, pritet të vizitojnë së shpejti Kievin dhe Moskën, në kuadër të përpjekjeve diplomatike për t’i dhënë fund luftës Rusi-Ukrainë.
Në një videomesazh të publikuar mbrëmjen e sotme, Zelensky tha se Ukraina ka marrë konfirmim për vizitat dhe se janë përcaktuar edhe “data paraprake”, pa dhënë detaje të mëtejshme.
“Presim mbërritjen e të dërguarve të presidentit amerikan në Kiev. Kemi marrë konfirmim nga ana e tyre: ata do të kenë takime në Moskë dhe Kiev”, tha Zelensky.
Sipas tij, është e rëndësishme që Shtetet e Bashkuara të vazhdojnë të angazhohen aktivisht në përpjekjet për zgjidhjen diplomatike të konfliktit.
Në fund të korrikut, Zelensky zhvilloi një bisedë telefonike me Witkoff dhe Kushner, në kuadër të përpjekjeve për të “rivitalizuar diplomacinë” mes palëve.
Nëse vizita konfirmohet, ajo do të ishte udhëtimi i parë i Witkoff dhe Kushner në Kiev që nga rikthimi i Trump në Shtëpinë e Bardhë dhe nisja e nismës së tij diplomatike për përfundimin e luftës.
Dy të dërguarit amerikanë kanë udhëtuar disa herë në Moskë gjatë muajve të fundit për takime në kuadër të negociatave.
Megjithatë, përpjekjet diplomatike deri tani nuk kanë prodhuar një marrëveshje përfundimtare. Lufta, e nisur në shkurt 2022 me pushtimin në shkallë të gjerë të Ukrainës nga Rusia, vazhdon ndërsa vëmendja e Uashingtonit është përqendruar gjithnjë e më shumë edhe te konflikti në Lindjen e Mesme.

