Zbulohet shkaku i zjarrit në komisariatin e Kamzës, arrestohen 2 policë, 3 nën hetim: Flakën e vunë 2 të ndaluarit (Emrat)

schedule09:20 - 27 Mars, 2022

schedule 09:20 - 27 Mars, 2022

2 policë janë arrestuar për zjarrin në komisariatin numër 5 të Kamzës, ku humbi jetën i paraburgosuri për dhunë ndaj nënës së tij, Arben Mici, 26 vjeç. Gazetarja Xhensila Kodra raporton se një të arrestuar janë polici Hajredin Boja 64 vjeç, i cili mbeti i lënduar teksa po tentonte të nxirrte të burgosurit, si dhe kolegu i tij Fatmir Isufi 64 vjeç. Nën hetim janë inspektorët Lutfi Muça 64 vjeç me detyrë Nd/specialist Informacioni në Komisariatin nr. 5; Mark Marashi 52 vjeç me detyrë Nd/specialist Informacioni në Komisariatin e Nr. 5 dhe Komisar Ylli Çollaku 44 vjeç me detyrë Shef i Seksionit të Patrullës së Përgjithshme në Komisariatin Nr. 5.

Masat janë marrë pas hetimeve të para nga Drejtoria Rajonale e Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore Tiranë, në bashkëpunim me ekspertë kriminalistë dhe ata zjarrfikës, nën drejtimin e  Prokurorit  të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë. Inspektorët Boja dhe Isufi janë arrestuar si të dyshuar për veprat penale “Shpërdorimi i detyrës” dhe “Mosdhënia e ndihmës”. Kurse 3 efektivët e tjerë janë vënë nën hetim në gjendje të lirë për shkak të mos ushtrimit të kompetencave dhe moskryerjen e veprimeve për parandalimin e ngjarjeve të rënda të kësaj natyre, si të dyshuar për veprat penale “Shpërdorimi i detyrës” dhe “Mosdhënia e ndihmës”.

Nga verifikimet e deritanishme të AMP, ka rezultuar se punonjësit e policisë së këtij komisariati kanë lejuar mbajtjen dhe përdorimin e mjeteve ndezëse nga personat e ndaluar, Arben Mici që humbi jetën dhe Dilaver Idrizi, të cilët kanë shkaktuar zjarrin në këto ambiente.

Lexo edhe: Pak ditë më parë hodhi bashkëjetuesen nga ballkoni, kush është i ndaluari që i vuri flakën komisariatit të Kamzës

Si pasojë e zjarrit humbi jetën Arben Mici , 26 vjeç, banues në Cerkezë, i arrestuar për ushtrim dhune ndaj nënës së tij. Ndërsa mbetën të plagosur Dilaver Idrizi i arrestuar për veprën penale “Vrasje për shkak të marrëdhënieve familjare” e mbetur në tentativë dhe polici Hajredin Boja.

Dyshohet se Dilaver Idrizi i ka vënë flakën qelisë ku flakët më pas janë përhapur me shpejtësi në dhomat e paraburgimit në Kamëz. Idrizi ishte arrestuar pak ditë më parë. Ai kishte hedhur bashkëjetuesen e tij nga ballkoni i katit të tretë.

Njoftimi i plotë;

Më datë 26.03.2022, Drejtoria Rajonale e Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore Tiranë, në bashkëpunim me ekspertë kriminalistë dhe ata zjarrfikës, nën drejtimin e  Prokurorit  të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, ka zhvilluar hetime paraprake për zbardhjen e rrethanave të rënies së zjarrit në ambientet e paraburgimit të Komisariatit Nr. 5, Tiranë.

Si pasojë e flakëve dhe asfiksisë dyshohet se ka ndërruar jetë në spital shtetasi A.M., 26 vjeç, i arrestuar si i dyshuar për veprën penale “Dhunë në familje”, ndërsa kanë mbetur të lënduar (jashtë rrezikut për jetën) shtetasit D.I., i arrestuar për veprën penale “Vrasje për shkak të marrëdhënieve familjare”, e mbetur në tentativë, si dhe punonjësi i policisë, H.B.

Pas hetimeve paraprake, janë krijuar dyshime të bazuara në fakte dhe prova ku si pasojë e veprimeve dhe mosveprimeve të punonjësve të Policisë të këtij komisariati, të cilët nga pakujdesia dhe në kundërshtim me procedurat standarde dhe rregullat teknike të trajtimit të personave të ndaluar dhe arrestuar, kanë lejuar mbajtjen dhe përdorimin e mjeteve ndezëse nga shtetasit e arrestuar A.M. dhe D.I., të cilët kanë shkaktuar zjarrin në këto ambiente.

Në përfundim të hetimeve paraprake janë arrestuar në flagrancë, si të dyshuar për veprat penale “Shpërdorimi i detyrës” dhe “Mosdhënia e ndihmës”, punonjësit e policisë:

1. Inspektor F. I., 64 vjeç, me detyrë oficer sigurie në dhomat e paraburgimit të personave të ndaluar/arrestuar në Komisariatin e Policisë Nr. 5 Tiranë;

2. Inspektor H. B., 64 vjeç, me detyrë oficer sigurie në dhomat e paraburgimit të personave të ndaluar/arrestuar në Komisariatin e Policisë Nr. 5 Tiranë.

Po kështu, për shkak të mos ushtrimit të kompetencave dhe moskryerjen e veprimeve për parandalimin e ngjarjeve të rënda të kësaj natyre, si të dyshuar për veprat penale “Shpërdorimi i detyrës” dhe “Mosdhënia e ndihmës”, janë proceduar në gjendje të lirë edhe punonjësit e policisë:

– Inspektor L. M., 64 vjeç, me detyrë Përgjegjës i dhomave të sigurisë për personat e ndaluar/arrestuar në Komisariatin e Policisë Nr. 5, Tiranë;

– Inspektor M. M., 52 vjeç, me detyrë Nd/specialist Informacioni në Komisariatin e Policisë Nr. 5, Tiranë;

– Komisar Y. Ç., 44 vjeç, me detyrë Shef i Seksionit të Patrullës së Përgjithshme në Komisariatin e Policisë Nr. 5 Tiranë.

Nga grupi i posaçëm hetimor i ngritur për këtë qëllim vijon puna për sqarimin e plotë të rrethanave të kësaj ngjarje, përcaktimin e saktë të vatrës së zjarrit dhe mjeteve që kanë shërbyer për vënien e zjarrit në ambientet e brendshme të dhomave të paraburgimit të këtij Komisariati, nga ekspertët e shërbimit zjarrfikës, ndërsa grupi hetimor vijon edhe gjatë ditës së sotme këqyrjen e vendit të ngjarjes për mbledhjen e provave.

AMP mbetet e përkushtuar në misionin e saj për garantimin e zbatimit të ligjit dhe fton qytetarët të denoncojnë çdo rast të abuzimit apo shkeljes së ligjit nga ana e punonjësve të Policisë së Shtetit, duke telefonuar në numrin e gjelbër 0800 90 90.

be.k/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!