Një tjetër dhomë torturash është zbuluar në qytetin Pisky-Rad’kivs’ki në veri të Ukrainës, rreth 15 milje në lindje të qytetit të Izyum. Rusët kanë kryer veprime nga më çnjerëzoret, nga shkulja e dhëmbëve deri te varrosja për së gjalli, sipas një deklaratë të zyrtarëve, shkruan Daily Mail.
Imazhet tregojnë një kovë plastike të mbushur me dhjetëra dhëmbë, maska kundra gazit dhe proteza prej ari. Zbulimi i dhomës së torturave është shembulli i fundit i ushtarëve ruse që kanë torturuar dhe ekzektuar civilët në zonat e pushtuara të vendit, pas zbulimit të varreve masive në Bucha, Irpin dhe Izyum.
Janë zbuluar gjithashtu dhjetëra dhoma torture, shpesh në bodrumet e ndërtesave të braktisura qeveritare. Në disa prej tyre janë gjetur trupa me duar të lidhura dhe plagë në gjunjë ose në pjesën e pasme të kokës.
Të mbijetuarit kanë thënë se janë mbajtur për javë të tëra dhe janë torturuar vazhdimisht gjatë marrjes në pyetje. Dhoma e fundit e torturave u zbulua nga Serhii Bolvinov, kryehetues në rajonin e Kharkiv.
“Fqinjët vazhdimisht dëgjonin britma. Hetuesit gjetën një dhomë të tmerrshme torture në fshat. Policia është vënë në dijeni për metodat brutale që janë përdorur nga rusët,” tha ai.
Pas një sulmi rrufe në Kharkiv muajin e kaluar që e ktheu pothuajse të gjithë provincën nën kontrollin ukrainas, forcat ukrainase kanë zmbrapsur rusët. Të martën, të paktën dy qytete u çliruan ndërsa trupat ukrainase synojnë të përparojnë në lindje, në rajonin fqinj të Luhanskut.
Pisky-Rad’kivs’ki ndodhet në të njëjtën zonë, në lindje të Oskilit.
Presidenti Zelensky tha gjithashtu se forcat ukrainase kanë çliruar dhjetëra qytete dhe fshatra.
/abcnews.al