Zbulimi në Apoloni, Ceka në ABC: Arkeologët e ministrisë thanë nuk ka gjë, zona duhet të mbrohet

schedule20:00 - 25 Maj, 2021

schedule 20:00 - 25 Maj, 2021

Pak ditë më parë gjatë punimeve për ndërtimin e “by pass”-it të Apolonisë u zbuluan gjurmët për një varrezë masive, jashtë murit rrethues të qytetit antik. Arkeologu i njohur Neritan Ceka u shpreh mbrëmjen e sotme në studion e Radarit Informativ në ABC, që kërkimet kanë zbuluar vetëm një pjesë të nekropolit.

Ceka akuzoi se raporti i ministrisë së Kulturës nuk ka asgjë dhe se konstatimi u bë nga arkeologu Vangjel Dimo. E ndërsa e cilësoi zbulimin e fundit si nga më të rëndësishmit në vitet e fundit, Ceka tha se kultura shqiptare është në “pandemi” që nga viti 1991.

Kur është bërë projekti për rrugën nuk janë pyetur arkeologët. Raporti tha nuk ka gjë. Arkeologët e ministrisë së Kulturës thanë aty nuk ka gjë. Arkeologu monitorues, Vangjel Dimo konstatoi jo vetëm që kishte, por… Nuk janë të rastësishme, pasi arkeologët e dinin që kishte dhe duhet të ndryshonte i gjithë projekti” tha ai.

Por konkretisht për cfarë bën fjalë zbulimi?

Praktika është që nekropoli ngrihet, ruhet. Pjesa që shikojmë është e ndërtesave dhe ujërave të kanalit kryesor që zbriste nga Apolonia. Jemi pranë hyrjes kryesore, jemi në rrugën që lidh hyrjen perëndimore të qytetit me portin, janë bërë gërmime arkeologjike”.

Por si duhet të veprohet tani me këtë zbulim, a duhet të futet në kategorinë e zonave të mbrojtura?

Për fat të keq në qendra arkeologjike nuk kemi vepruar përveç Durrësit, në Apoloni përfshihet vetëm nekropol lindor, por jo perëndimor, ku duhet të jetë një argument ta shtojmë zonën B, duhet që të shtrihet më tej drejt perëndimit. Zona B, cdo ndërtim duke përfshirë edhe ato të infrastrukturës paraprihet nga sondazhe arkeologjike dhe kërkime, rezervon investimet, do të ketë kosto plus” tha ai.

Gjatë bisedës në studio, gazetarja Jonida Shehu e pyeti arkeologun edhe për situatën në Tiranë dhe konkretisht se cfarë po ndodh me mozaikun. “Tirana është republika anti-antike. Nuk zbatohet ligji për monitorimin arkeologjik. Nuk ka asnjë raport arkeologjik.

Godina që është në Kinostudio poshtë dritares së ministres nuk ka raport monitorimi. Në 30 vite nuk kemi asnjë firmë ndërtimi që të ketë deklaruar se ka gjetur një objekt arkeologjik. Vendi jonë ka qenë në pararojë të arkeologjisë europiane, por nga 1990 erdhën grupe politike që nuk kishin lidhje me këtë vend, ka mungesë patriotizmi”.

Kritika të forta, Ceka kishte edhe për ministrinë e Kulturës dhe emërimet. “Të dy ministret janë armike të vendosura të arkeologjisë. Mënyra si veprohet në institucionet e tyre, jo vetëm në Tiranë. Këta kanë 100 persona në dispozicion.

Kanë 75 të tjerë në tavolina me kompjuterë pa doktoratura, pa karrierë pa të ardhme. Kuadrin ligjor e kanë bërë po këta, dhe sipas kuadrit këta janë në rregull në tavolinë.

Kryeministri është mbrojtës i të gjitha prapësive që bëhen. Ne paguajmë njerëz që nuk kanë lidhje me zanatin” përfundoi ai./ db/ Abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!