Arkeologu, akademiku dhe studiuesi i njohur, Adem Bunguri ka realizuar një studim shumë të veçantë me 40 përkrenaret ilire në Shqipëri dhe në Kosovë.
Gjatë një interviste për emisionin “Pas Mesnate” në ABC News, ai ka shpjeguar termin e fjalës ‘përkrenare’, duke theksuar Shqipëria është rasti i parë, pas Korinthit, ku janë përfaqësuar të gjithë tipet e përkrenareve të njohura deri më sot.
Sipas Bungurit, nëse përkrenaret e tjera kishin probleme në strukturë, për herë të parë përkrenarja ilire tregoi fytyrën e hapur, gjë që lejoi shikim të lirë të fushës së betejës.
“Përkrenare nuk mund të kishte kushdo, ajo përfaqësonte një status social dhe hierarki të aristrokacisë ushtarake ilire. Është element organik i aristrokacisë ushtarake ilire. Fillon nga shekulli i shtatë dhe vazhdon deri nga mezi i shekullit të dytë para Krishtit.
Pikërisht në kohën e Mbretërimit të Gentit, arkeologët tanë kanë zbuluar monedha të tipit mburojë përkrenare, ku mburoja dhe përkrenarja stampoheshin në faqen e monedhës. Monedha të tilla janë zbuluar nga studiuesit dhe janë botuar nga profesor Selim Islami, në qytetin e Shkodrës, të Lisit, të tilla janë zbuluar dhe në Maqedoninë e Veriut.
Shqipëria është rasti i parë, pas Korinthit, ku janë përfaqësuar të gjithë tipet e përkrenareve të njohura deri më sot.
Çfarë është përkrenarja? Është një veshje bronzi e kokës së luftëtarit për ta mbrojt jetën e tij në luftimet në distancë të afërt. Nëse përkrenaret e tjera kishin probleme në strukturë, për herë të parë përkrenarja ilire tregoi fytyrën e hapur, gjë që lejoi shikim të lirë të fushës së betejës”, u shpreh ai./abcnews.al