Zbrazëti, miliona dhe ushtarët e zgjedhur: Derbi i kryeqytetit në arrati

schedule09:19 - 21 Janar, 2021

schedule 09:19 - 21 Janar, 2021

Luhet sot në 18:00 derbi mes Tiranës dhe Partizanit. E veçanta e kësaj ndeshje është që te vendi ku do luhet. “Elbasan Arena” do të presë këtë sfidë, teksa pas shumë vitesh derbi i kryeqytetit del jashtë Tiranës.

Edhe kjo ndeshje do të luhet pa praninë e tifozëve për shkak të pandemisë, një mungesë e madhe, duke marrë parasysh që ultrasit janë një nga gjërat më të bukura në vitet e fundit. Ditën e djeshme në konferencë për shtyp trajneri i Partizanit, Ilir Daja u shpreh se afërsisht e di me kë do zbresë në fushë nesër.

 

Të kuqtë pritet të luajnë me formacionin 4-3-3. Në portë si gjithmonë Hoxha, në mbrojtje janë Idrizaj, Bitri, Belica dhe Hakaj. Ndërkohë në mesfushë pritet Mala, Broja dhe Murataj, i cili pritet të luajë sot derbin e parë të karrierës.

Në janar ka ardhur Stenio Junior dhe Çinari, por pritet që Daja të mos i besojë formacionin asnjërit prej tyre për shkak se nuk janë në gjendjen e duhur fizike. Asani, Solomon dhe Melo mbulojnë ofensivën. Për Çinarin trajneri tha se do aktivizohet si zëvendësues gjatë ndeshjes.

 

Te Tirana Dede nuk dha asnjë indicie në lidhje me formacionin, por nuk pritet të ketë shumë ndryshime nga ndeshja me Kastriotin. Në portë do të jetë Bekaj, i cili para tij do të ketë dyshen Hoxhallari-Najdovski. Në krahë janë Ismajlgeci dhe Toshevski.

Ndërkohë edhe në këtë ndeshje mesfusha pritet të jetë me katër, teksa Batha, Toli, Torassa dhe Halili janë lojtarët më të avantazhuar për të startuar sonte në mbrëmje. Në sulm pritet të aktivizohet nga minuta e parë Seferi, që do të shoqërohet nga Muçi në repartin ofensiv.

 

Është zbuluar edhe gjyqtari për ndeshjen e sotme në Elbasan. Do të jetë pikërisht një vendas, që do gjykojë derbin e kryeqytetit. Enea Jorgji do të vendosë drejtësi sonte në ndeshjen më të madhe të vendit tonë. Derbin e kaluar e gjykoi Juxhin Xhaja, i cili u polemizua për një penallti të padhënë ndaj Tiranës.

E sotmja është një ndeshje, që e ka motivimin brenda, por një shtysë më shumë nuk është keq. Nga ajo që raportohet presidenti i Tiranës, Refik Halili ka vendosur të japë premio për këtë sfidë. Sezonin e shkuar te Tirana kanë operuar shumë në këtë mënyrë dhe rezultoi të ishte e suksesshme. /abcneës.al

Formacionet e mundshme:
TIRANA (4-4-2): Bekaj; Hoxhallari, Najdovski, Toshevski, Ismajlgeci; Halili, Toli, Batha, Torassa; Muçi, Seferi. Trajner: Nevil Dede.
PARTIZANI (4-3-3): Hoxha; Idrizaj, Belica, Bitri, Hakaj; Murataj, Broja, Mala; Melo, Solomon, Asani. Trajner: Ilir Daja.