Zbardhet ngjarja në Durrës: I humbi paratë në bixhoz, menaxheri organizon grabitjen e karburantit

schedule08:57 - 7 Qershor, 2021

schedule 08:57 - 7 Qershor, 2021

Policia ka zbardhur ngjarjen e djeshme në Durrës, ku u raportua për grabitje të një karburanti në Fllakë. Sipas policisë grabitja është stimuluar nga menaxheri i firmës me qëllim justifikimin e shumave të mëdha të parave të xhirove ditore që i kishte humbur duke luajtur lojëra fati.

Uniformat blu sqarojnë se ky i fundit është arrestuar nga policia. Gjithashtu në pranga ka rënë edhe edhe pronari i lokalit që ushtronte veprimtarinë e kundërligjshme të lojërave të fatit, ku menaxheri i karburantit kishte humbur lekët duke luajtur lojëra fati.

Të arrestuarit janë Gert Farruku, 23 vjeç, menaxheri i karburantit;  Arsid Haxhija, 22 vjeç, pronari i lokalit që organizonte lotari të palejuara, ku dyshohet se shtetasi Gert Farruku ka humbur shuma të mëdha parash duke luajtur loto.

Nga hetimet e kryera dhe mbledhja e të gjitha provave procedurale është konstatuar se në momentin e vjedhjes një person i maskuar ka zbritur nga një mjet dhe i ka vjedhur me dhunë xhiron ditore shtetasit  23-vjeçarit, menaxheri i kompanisë.

Në vijim të hetimeve ka rezultuar se Farruku për një periudhë 2-mujore ka vjedhur sistematikisht kompaninë ku ai punon duke deklaruar shuma më të vogla se fitimi.  Shumën e lekëve të përfituara nga mosdeklarimi, i riu e ka luajtur në lotari të palejuara.

Njoftimi i plotë:

Policia zbardh në kohë rekord vjedhjen me dhunë të kryer ditën e djeshme në një karburant në autostradën Tiranë – Durrës.

Vihet në pranga menaxheri i firmës, i cili kishte simuluar ngjarjen me qëllim justifikimin e shumave të mëdha të parave të xhirove ditore që i kishte humbur duke luajtur lojëra fati.

Gjithashtu vihet në pranga edhe pronari i lokalit që ushtronte veprimtarinë e kundërligjshme të lojërave të fatit, ku menaxheri i karburantit kishte humbur lekët duke luajtur lojëra fati.

Specialistët për Krimet në Komisariatin e Policisë Durrës, në bashkëpunim me strukturat hetimore të DVP Durrës, menjëherë pas ngjarjes së ndodhur mëngjesin e datës 06.06.2021, në një karburant, ku u vodh me dhunë një shumë e madhe parash,  organizuan punën për zbardhjen e  ngjarjes.

Si rezultat i veprimeve të shpjeta hetimore, në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Durrës, brenda një kohe të shkurtër u bë e mundur zbardhja dhe dokumentimi i ngjarjes.

Në bazë të provave të grumbulluara u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve  G. F., 23 vjeç dhe A. H., 22 vjeç.

Nga hetimet e kryera dhe mbledhja e të gjitha provave procedurale është konstatuar se në momentin e vjedhjes një person i maskuar ka zbritur nga një mjet dhe i ka vjedhur me dhunë xhiron ditore shtetasit –G. F., 23 vjeç, menaxheri i kompanisë.

Në vijim të hetimeve ka rezultuar se shtetasi G. F., për një periudhë 2-mujore ka vjedhur sistematikisht kompaninë ku ai punon duke deklaruar shuma më të vogla se fitimi.  Shumën e lekëve të përfituara nga mosdeklarimi, ky shtetas e ka luajtur në lotari të palejuara në lokalin e shtetasit A. H., i cili ka përfituar shuma të mëdha parash nga shtetasi G. F.

Menaxheri i firmës, shtetasi G. F. dyshohet se e ka organizuar vjedhjen për të larë  borxhet që ka patur në loto.

Nga ana e grupit hetimor vijon puna për identifikimin e personave të tjerë të implikuar në këtë veprimtari kriminale.

Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprime të mëtejshme për veprën penale “Vjedhja e kryer duke shpërdoruar detyrën” në ngarkim të shtetasit G. F., dhe “Organizimi i lotarive të palejuara” në ngarkim të shtetasit A. H.

g.v/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!