Zarubica: Ky Laç ka një sekret, ishim perfektë në Rumani. Anderlecht? Me kokën lart

schedule21:58 - 2 Gusht, 2021

schedule 21:58 - 2 Gusht, 2021

Dejan Zarubica është një nga afrimet e Laçit në merkaton e verës. 28-vjeçari nga Nikshiqi luan në krahun e djathtë dhe në qendër të sulmit, sezonin e kaluar u shpall kampion i Malit të Zi me Buducnost, teksa dy sezonet e ardhshme do mbajë veshur fanellën bardhezi.

Me ekipin kurbinas është përshtatur për mrekulli. Në suksesin 3-0 ndaj Podgoricës në Conference League që solli kualifikimin e Laçit në raundin e dytë, dhuroi asistin për golin e Ardit Deliut, teksa ndaj Univ Craiova realizoi golin e fitores 1-0 në “Elbasan Arena”, duke ndihmuar ekipin e Duros të eliminojë nënkampionat e Rumanisë dhe të kualifikohet në raundin e tretë për herë të parë në histori.

Anderlecht është rivali i radhës. Laçi pret ekipin belg në “Elbasan Arena” ditën e enjte (19:00). Zarubica nuk ka frikë, ndihet gati për duelin e dyfishtë kundër Anderlecht, teksa flet rreth aventurës në Shqipëri dhe momentit fantastik në prononcimin e dhënë për Vijesti.me.

 

Zarubica i pari djathtas, poshtë

LAÇI – “Pothuajse gjithmonë në vitet e fundit, Laçi ka kaluar në raundin e dytë të kompeticioneve evropiane. Kjo është hera e parë që kualifikohet në të tretin, kështu që suksesi i arritur është i madh. Kënaqësi e madhe, sepse eliminuam ekipin që është në krye të futbollit rumun dhe ka një buxhet shumë më të madh se yni.

Sekreti ynë? Ne kemi një ekip shumë të ri, por në të njëjtën kohë janë lojtarë që kanë luajtur tashmë shumë ndeshje dhe që kanë eksperiencë. Ekipi në fushë punon në mënyrë harmonike, taktikisht jemi shumë mirë, e tillë është edhe mënyra se si shkojmë në zonën kundërshtare. Nuk arritëm rastësisht në raundin e tretë”.

KUALIFIKIMI – “Unë jam i kënaqur me mënyrën se si ekipi luajti, por edhe me lojërat e mia në të katër ndeshjet e deritanishme. E filluam në mënyrë të shkëlqyer kundër Podgoricës në ndeshjen e parë, por pas rreth 20 minutash ne u ndalëm në mënyrë të pashpjegueshme dhe pësuam disfatë që nuk shpjegohet.

https://streamable.com/i6nxst

Humbëm edhe penallti në minutat e fundit. Në ndeshjen e kthimit, ne treguam se sa mirë ishim si skuadër, fituam 3-0, por kishim shumë raste. Jam i lumtur që ndihmova me asist në golin e parë që e çoi ndeshjen në shtesë.

Craiova?  Krenar për ekipin ashtu edhe për veten time. Shënova golin e fitores në ndeshjen e parë, por luajtëm një ndeshje të pjekur edhe në Rumani, taktikisht perfekte, teksa nuk e lejuam kundërshtarin të na rrezikonte shumë”.

OBJEKTIVAT – “Sfidat me Anderlecht janë një shpërblim për gjithçka që bëmë këtë verë, por kjo nuk do të thotë që ne nuk kemi ambicie, përkundrazi. Unë jam i sigurt se do të kemi diçka për të treguar. Çfarëdo që të ndodhë, ne do të largohemi nga fusha me kokën lart”.

SHQIPËRIA – “Futbolli në Shqipëri po bën shumë përparim, klubet po ndjekin trendët evropiane, federata gjithashtu. Edhe futja e sistemit VAR e dëshmon progresin në mënyrën më të mirë. Nuk është rastësi që dy ekipe arritën në raundin e tretë të Conference League; Teuta dhe ne. Besoj se Laçi do të luftojë për titullin kampion deri në fund, siç ndodhi sezonin e kaluar”. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!