Zajednica ndez gjakrat në Kosovë!

schedule20:10 - 21 Tetor, 2020

schedule 20:10 - 21 Tetor, 2020

Nga Linda Karadaku

Bisedimet Kosovë-Serbi në Bruksel kanë ngecur në një cështje që pati shkaktuar shumë shqetësim dhe tension në Kosovë. Bëhet fjalë për Asociacionin e komunave me shumicë serbe për të cilin Kosova insiston që është cështje e mbyllur ndërsa Serbia kërkon ta rihapë dhe të negociojë për të.  Nëse Prishtina nuk e zbaton detyrimin nga marrëveshja e Brukselit, atëherë edhe detyrimet e Serbisë nga ai dokument do të pushojnë, ka thënë, Petar Petkoviç, drejtor i ri i Zyrës për Kosovën në qeverinë e Serbisë, gjatë një takimi me përfaqësuesit e serbëve të Kosovës të mbajtur në Beograd. Duke e shtuar edhe më shumë presionin, Petkoviç paralajmëroi se Serbia do ta konsiderojë edhe daljen e serbëve nga institucionet e Kosovës.

“Nuk do të ketë marrëveshje mbi normalizimin e marrëdhënieve me Prishtinën përpara formimit të Asociacionit, dhe as nuk është në rend të ditës dhe as që është diskutuar diku. Serbia nuk do ta njohë Kosovën, dhe në këmbim të marrë një asgjë të madhe” tha Petar Petkoviç.

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka përsëritur në mënyrë të vazhdueshme se cështja e Asociacionit është e mbyllur dhe nuk ka ndërmend ta hapë. Kabineti i kryeministrit të Kosovës Hoti, ka deklaruar këtë muaj se Prishtina nuk do të pranojë negociata shtesë lidhur me krijimin e Asociacionit të Komunave më shumicë serbe. “Qeveria nuk do të pranojë diskutimin e kësaj teme në tryezën e bisedimeve, por do të respektojë detyrimet e marrëveshjes së arritur, të cilat më pas rregullohen nga Gjykata Kushtetuese”.

Por Bashkimi Evropian kërkon zbatimin e marrëveshjes së 2013-tës. Përfaqësuesi i posaçëm i Bashkimit Evropian në dialogun midis Kosovës dhe Serbisë, Mirosllav Lajçak ishte në Prishtinë javën e kaluar në një përpjekje për të diskutuar për “zhbllokimin e çështjes së Asociacionit të komunave me shumicë serbe”.

“Tjetër sfidë është marrëveshja për Asociacionin e Komunave me shumicë serbe në Kosovë. Palët ishin pajtuar për këtë më 2013/2015, por nuk është zbatuar kurrë. Është çështje e ndjeshme në të cilën po ashtu ka dhënë fjalën e saj edhe Gjykata Kushtetuese e Kosovës – dhe ky opinion duhet të merret parasysh. Por ata që kundërshtojnë se tani nuk është koha e duhur, i pyes: ‘Kur, nëse jo tani? Ju vetë e keni nënshkruar këtë marrëveshje” tha Lajçak.

Kryeministri Avdullah Hoti ri-konfirmoi pas takimit me Lajcak se nuk do të ketë bisedime për asociacionin me kompetenca ekzekutive. “Kemi të gjitha garancitë dhe mbështetjen e partnerëve tanë që ky Asociacion s’do të ketë kompetenca ekzekutive. Kur kemi hyrë në proces të dialogut, ku kemi hequr nga tavolina idenë e shkëmbimit të territoreve dhe sot askush s’flet për këtë temë, edhe kjo nuk diskutohet, karakteri unitar, që do të thotë s’ka Asociacion me kompetenca ekzekutive dhe unë s’kam nderruar mendje. Gjithmonë e kam pasur këtë qëndrim, s’u nënshtrohem presioneve, jam këtu për të kryer detyrën time në përputhje me Kushtetutën dhe qytetarët”.

Lajçak dhe Tomas Szunyog, kreu i zyrës së Bashkimit Evropian në Prishtinë, kanë thënë se Prishtina duhet të propozojë modalitete për mekanizmin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe.

 2013: MARREVESHJA E BRUKSELIT

Marrëveshja e Brukselit është dokumenti i parë mbi normalizimin e marrëdhënieve midis Prishtinës dhe Beogradit, nënshkruar në Bruksel në vitin 2013, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian. Nga 15 pika të marrëveshjes, e para ka të bëjë me Asociacionin e Komunave Serbe.  “Do të ketë një bashkësi të komunave në të cilat serbët përbëjnë shumicën e popullsisë në Kosovë. Anëtarësimi do të jetë i hapur për çdo bashkësi tjetër, me kusht që anëtarët të bien dakord për këtë”.

Pesë pikat e ardhshme të dokumentit specifikojnë mënyrën e formimit të Asociacionit, bazuar në statut. Parashikohet zgjedhja e Presidentit, zëvendës- presidentit, Asamblesë dhe Këshillit, si dhe kompetencat në bazë të së cilave Asociacioni do të ketë kontroll të plotë mbi zhvillimin ekonomik dhe rural, arsimin, shëndetësinë dhe urbanizëm. Dy vjet më vonë, në vitin 2015, dy vendet arritën me ndërmjetësimin e

Bashkimit Evropian, edhe një marrëveshje shtesë lidhur me parimet e themelimit e këtij Asociacioni.  Në shkurt 2003, u themelua një Asamble e komunave me shumicë serbe në Kosovë, me seli në Mitrovicën e Veriut, e cila u konsiderua e paligjshme nga qeveria e Kosovës, sepse ushtronte autoritet legjislativ dhe ekzekutiv në territorin e Kosovës, kryesisht në Kosovën veriore. Në vitin 2005, pjesë e negociatave Serbi-Kosovë ishte kërkesa e palës serbe për krijimin e komunave serbe dhe mbrojtjen kushtetuese dhe ligjore të serbëve. Përfaqësuesi Special i Kombeve të Bashkuara në Kosovë Søren Jessen-Petersen dhe kryetari i atëhershëm i kuvendit të Kosovës, Nexhat Daci përsëritën qëndrimin e tyre kundër ndarjes së Kosovës.

Në përputhje me Marrëveshjen e Brukselit, ishte planifikuar të krijohej një associacion i komunave me shumicë serbe me seli në Mitrovicën veriore. Ndryshe nga ish-asociacioni i mëparshëm, ai nuk do të kishte asnjë pushtet legjislativ, duke pasur vetëm një “pushtet të plotë në fushat e zhvillimit ekonomik, arsimit, shëndetësisë, planifikimit urban dhe rural” në përputhje me Kartën Evropiane të Vetëqeverisjes Lokale dhe ligjin e Kosovës. Asociacioni do të përfshinte komunat  Mitrovica e Veriut, Zubin Potok, Leposaviç, Zveçan, Shtërpcë, Kllokot, Graçanicë, Novo Brdo, Ranilug dhe Partesh. Sipërfaqja totale e këtyre komunave është më shumë se 5 përqind e sipërfaqes totale të Kosovës.

Marrëveshja e Brukselit e nënshkruar midis Serbisë dhe Kosovës në vitin 2013 përfaqësonte një hap të rëndësishëm në procesin e pranimit të Serbisë në Bashkimin Evropian. Me këtë marrëveshje, u ra dakord gjithashtu që Serbia nuk do të bllokonte pranimin e Kosovës në Bashkimin Evropian dhe anasjelltas. Kjo marrëveshje u vlerësua gjithashtu nga Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara Ban Ki-mun i cili tha se ajo garantonte pushtet të gjerë për komunat me shumicë serbe në Kosovë. Në nëntor 2014, Ljubomir Mariç, një nga koordinatorët për krijimin e asociacionit të komunave me shumicë serbe, deklaroi se ai do të bazohej në modelin e Tirolit të Jugut në Itali dhe se ai priste të themeloheshin edhe dy komuna të tjera në Gorë dhe Prilluzhë.

2015: GJYKATA KUSHTETUESE NGRIN ASOCIACIONIN
Më 10 nëntor 2015, qeveria e Kosovës ngriu marrëveshjen e nënshkruar më parë për krijimin e asociacionit të komunave me shumicë serbe. Beogradi reagoi dhe ministri i jashtëm serb në atë kohë Ivica Daçiç, tha se ky veprim ishte “kërcënim për stabilitetin rajonal” dhe një “goditje të madhe në dialogun e Brukselit”. Në Dhjetor 2015, Gjykata Kushtetuese e Kosovës shpalli pjesë të Marrëveshjes së vitit 2013, antikushtetuese.

Themelet e formimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe ishin vendosur në Marrëveshjen e parë të parimeve për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë e cila përmbante 15 pika. Komunat pjesëmarrëse do të kishin të drejtë të bashkëpunonin në ushtrimin e kompetencave të tyre së bashku përmes asociacionit.  Kjo marrëveshje ishte nënshkruar më 19 prill 2013 nga ish-kryeministri Hashim Thaçi dhe homologu I tij serb në atë kohë, Ivica Daçiç. Në vitin 2015, Kosova dhe Serbia, arritën Marrëveshjen mbi parimet për krijimin e këtij Asociacioni. Në tetor të po atij viti, kjo marrëveshje u dërgua për interpretim në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës nga presidentja e atëhershme Atifete Jahjaga.

Gjykata Kushtetuese, në vendimin e nxjerrë në dhjetor të vitit 2015, tha se Marrëveshja për Asociacionin në 23 pika të saj, nuk është në harmoni me Kushtetutën e Kosovës. Gjykata kishte konstatuar që Asociacioni i komunave me shumice serbe do të themelohet, siç ishte paraparë me Marrëveshjen e parë të Brukselit të vitit 2013, të ratifikuar nga Kuvendi i Kosovës dhe të shpallur nga presidentja e Republikës së Kosovës Atifete Jahjaga, ndërsa Marrëveshja mbi parimet për themelimin e Asociacionit, e arritur më 2015, nuk është tërësisht në përputhje me frymën e Kushtetutës.

Gjykata Kushtetuese kishte konstatuar që akti juridik i qeverisë së Republikës së Kosovës dhe statuti që implementon parimet, për të qenë në pajtueshmëri me frymën e Kushtetutës, duhet të plotësojë standardet kushtetuese. Gjykata Kushtetuese konkludoi se në 23 pika të marrëveshjes, parimet nuk janë në harmoni me Kushtetutën e Kosovës dhe dha në të njëjtën kohë një rrugëzgjidhje, duke deklaruar se ato mund të harmonizohen me një akt ligjor të Qeverisë së Kosovës.

VETEVENDOSJE KUNDER ZAJEDNICES
Vetëvendosje reagoi me protesta të dhunshme kundër Asociacionit, të cilin e quajti me emrin Zajednica në serbisht. Marrëveshja e Brukselit u kritikua edhe në Serbi në kohën kur u arrit dhe u nënshkrua. Partia Demokratike e Serbisë tha se ajo nuk e përmendte Serbinë ose Kushtetutën dhe ligjet e saj dhe as Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, ndërkohë që përmendte Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës. Kisha Ortodokse Serbe ishte po kështu kundër dhe e quajti marrëveshjen “një tërheqje të plotë të institucioneve të Serbisë nga territori i Kosovës dhe vendosje e një autonomie të kufizuar të komunitetit serb në zonën në veri të urës së Ibrit në Mitrovicë brenda establishmentit të Hashim Thaçit”.

 MODELI I KROACISE DHE BOSNJE-HERCEGOVINES
Asociacione të tilla janë një model institucional I ndjekur nga serbët jashtë Serbisë, me një mbështetje të qartë të Beogradit. Në Kroaci, Këshilli i Përbashkët i Komunave është një organ konsultativ i zgjedhur, sui generis, që përbën një formë të vetëqeverisjes kulturore të serbëve në rajonin kufitar të Kroacisë Lindore. Këshilli u krijua pas Luftës Kroate për Pavarësi si pjesë e përpjekjeve të bashkësisë ndërkombëtare për të zgjidhur paqësisht konfliktin në Sllavoninë Lindore, Baranya dhe Syrminë Perëndimore.

Themelimi i Këshillit ishte një nga dispozitat e qarta të Marrëveshjes Erdut që u bëri thirrje Kombeve të Bashkuara të krijonin misionin kalimtar UNTAES. Këshilli i Përbashkët i Komunave nuk është një njësi administrative autonome por një formë e autonomisë kulturore në përputhje me ligjin përkatës kroat, përfshi dispozitat për bashkëpunimin në nivel lokal. Këshilli dhe disa partnerë të tij po bëjnë presion aktiv për njohjen zyrtare të autoritetit ligjor të tij brenda Aktit për të Drejtat e Pakicave Kombëtare. Qëllimi i ndryshimit të propozuar është që të transformojë statusin e tij aktual të një shoqate të lirë në një shoqatë më të institucionalizuar. Këshilli i Përbashkët i Komunave është anëtar themelues i Këshillit Kombëtar Serb, mekanizmi kombëtar koordinues I serbëve në Kroaci.

Serbët kanë ngritur edhe një Aleancë të komunave me shumicë serbe në federatën e Bosnjë-Hercegovinës. Takimi I parë I Aleancës u mbajt në Grahovo në mars të 2013-tës dhe në të morën pjesë zyrtarët serbë nga komunat Drvar, Bosanski Grahovo dhe Glamoc. Është e qartë se Beogradi ka mbështetur mekanizma të tilla institucionalë për serbët e mbetur në vendet e tjera të ish-Jugosllavisë, dhe kjo jo vetëm me fjalë, por edhe financiarisht, siç ka bërë dhe bën edhe në veriun e Kosovës vecanërisht. Por ajo që në Kosovë po thyen shpatat, është përpjekja për t’i dhënë këtij Asociacioni kompetenca ekzekutive, gjë që kundërshtohet ashpër nga autoritetet e Kosovës dhe për të cilën, Gjykata Kushtetuese e vendit, e ka dhënë tashmë verdiktin e saj./ db/Abcnews.al