Zaev: Nëse dështojmë për emrit, bisedimet pas 3 muajsh

schedule11:14 - 27 Prill, 2018

schedule 11:14 - 27 Prill, 2018

Nëse Athina dhe Shkupi dështojnë në gjetjen e një zgjidhjeje përfundimtare për çështjen e emrit, bisedimet do të rifillojnë pas tre muajsh. Deklarata u bë nga kryeministri maqedonas Zaev i cili shtoi se një dështim i mundshëm do të pengonte rrugën europiane të vendit.

Kryeministri i Maqedonisë Zoran Zaev u shpreh se e ardhmja europiane e Maqedonisë varet nga zgjidhja e çështjes së emrit me Greqinë. Në një intervistë për televizionin bullgar, BTV, Zaev paralajmëroi se negociatat do të vazhdojnë pas 3 muajsh, në rast se palët dështojnë në arritjen e ndonjë marrëveshjeje të mundshme.

“Nëse nuk kemi sukses, nuk do të kemi të ardhme në BE, në NATO. Atëherë do të duhet ta sjellim Europën në Shkup, nuk shoh tjetër alternativë. Në fund të fundit nëse nuk gjendet zgjidhje çështja do të mbetet e hapur dhe pas 3 muajsh, ose pas 6 muajsh dhe ne do të vazhdojmë sërish të kërkojmë zgjidhjen”

Ndërkohë, kryeministri grek, Aleksis Cipras theksoi se Greqia asnjëherë nuk ka qenë më e përkushtuar për të gjetur zgjidhje përfundimtare. Por, zyrtarët grekë nëse nga njëra anë shprehen të gatshëm për arritjen e marrëveshjes, në anën tjerë në të gjitha deklaratat për mediat greke theksojnë qartë se nuk do të ketë zgjidhje pa ndryshimin e kushtetutës së Maqedonisë.

 “Greqia për herë të parë në mënyrë aq të vendosur po mundohet të gjejë zgjidhje të përbashkët të pranueshme për çështjen e emrit, me garanci se do të ketë zgjidhje përfundimtare”.

Këto komente Cipras i bëri në deklaratën e përbashkët për shtyp me Presidentin e Komisionit Evropian, Zhan Klod Junker i cili theksoi urgjencën për zgjidhjen e debatit shumëvjeçar.

Pas negociatave në Vjenë mes kryediplomatëve dhe ndërmjetësit të OKB-së, nuk u publikua ndonjë rezultat konkret, por vetëm u paralajmërua se bisedimet do të vazhdojnë më 3 dhe 4 maj në Selanik. /abcnews.al

 

 

 

 

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!