Ersil Ymeri zyrtarisht është pjesë e Kukësit, Mesfushori u largua një ditë më parë nga Llapi dhe sot ka firmosur kontratën që e rikthen atë në Superiore. Me verilindorët, futbollisti që ka luajtur me Kamzën, Kastriotin dhe Laçin në kampionatin tonë, ka nënshkruar për dy vite.
“Ersil Ymeri është zyrtarisht futbollist i Kukësit! Mesfushori shqiptar, ka firmosur sot kontratën me klubin tonë për 2 sezonet e ardhshme, duke u bërë futbollisti më i ri i Kukësit.
Mesfushori 26-vjeçar e njeh mirë kampionatin shqiptar duke qenë se ka luajtur më parë me ekipet e Kamzës, Kastriotit e Laçit. Së fundmi, ai ishte pjesë e Llapit në kampionatin e Kosovës, duke qenë protagonist me ekipin e tij.
Ymeri u prezantua sot në zyrat e klubit dhe do të bashkohet me skuadrën ditën e nesërme. Klubi i Kukësit i uron shumë suksese mesfushorit Ymeri ! Mirë se vjen Ersil!”, shkruhet në njoftimin e Kukësit në rrjetet sociale. /abcnews.al