Dy ditë pasi Spak doli në përfundimin se Olsi Rama nuk ka lidhje me dosjen e Xibrakës, kryeministri Edi Rama i cilësoi të fabrikuara akuzat e opozitës për të villain. Në një mesazh drejtuar qytetarëve, kreu i qeverisë tha se drejtësia foli me fakte e me prova.
“Ky palo djalë bashkë me tutorin e tij, nuk kanë lënë rast pa e rihedhur në publik këtë jashtënxjerrje të shpifur, kam bërë durim, shumë durim. S’kam dashur të flas unë me bindjet e mia, para se të flasë drejtësia me provat e veta. SPAK-u deklaroi se ka arritur në përfundimin që Olsi Rama nuk ka asnjë lidhje me personin e paindentifikuar të dosjes në fjalë dhe nuk ka asnjë provë apo fakt që të lidhë tim vëlla me aktivitetin kriminal.
Pra me fakte e me prova, jo me hamendësime e me fabrikime, është katërcipërisht e qartë, se im vëlla u përdor si mish për top, për të më goditur dhe rrëzuar mua në sytë e opinionit publik.”
Me Gazmend Bardhin paralajmëroi përballje ligjore në gjykatë, teksa solli në vemendje edhe rastet e tjera të fituara me kundërshtarët politike.
“Por tani që u krye hetimi i plotë dhe doli cullak krijimi i rrethanave të kallzimit të rremë, avokatët do të punojnë edhe në rrafshin e kësaj vepre penale për një proces gjyqësor siç e meriton autori i Babales së Dytë. Po e dini çfarë bëjnë këta kur i thërret në gjyq, se si sillen në gjyq këto gjallesa të kota sa zhurma e tyre? Sëmuren, çojnë raporte, gënjejnë sikur janë jashtë shtetit apo sikur janë në zonën elektorale, nuk i çojnë avokatët që të shtyhet sa më larg dita e gjykimit, çojnë mesazhe pajtimi, “se kështu e ka politika”, me shpresën e rraskapitur se do të plasë më në fund revolucioni i syve të tyre të verbër dhe deti i jashtënxjerrjeve të tyre do të bëhet kos delesh qëndrestare…”
Mohon që jo vetëm i vëllai por të gjithë anëtarët e familjes së tij të kenë përfituar nga fondet publike të shtetit.
“Nuk e kanë gjetur dhe s’kanë për ta gjetur dot, atë fakt fajësues në raportin tim me materien, qoftë para, qoftë tulla e llaç. Se nuk ka. Por nuk kam ç’u bëj fare, që edhe pse s’e kanë një fakt a provë të vetme, m’i hedhin mua në kurriz, jo vetëm të gjitha ç’kanë bërë vetë apo ç’do bënin vetë po të kishin pushtetin tim, po edhe ç’ka bërë e ç’nuk ka bërë kushdoqoftë që ka punuar me mua, nga afër apo nga larg, e që kanë hyrë në daç në shënjestrën e institucioneve të reja të drejtësisë, në daç në gojën e shthurrur të prokurorëve e gjykatësve mediatikë apo në raste të caktuara edhe të të dyja palëve bashkë.”
E teksa sjell në vemendje angazhimin e Olsi Ramës në klubin e futbollit Partizani, Rama tregon edhe cfarë e ndan me Sali Berishën.
“Ironia e fatit në këtë rast, e do ama, që fjala “Klubi Partizani”, të jetë sot edhe një pasqyrë e qartë e dy botëve që më ndajnë qysh nga dita një, mua me kundërshtarët e mi, ku mund të shihet si drita e diellit dallimi i botëkuptimeve për shtetin, pushtetin dhe zyrën, ku unë jam thjesht roja i radhës, ndërsa pronari është populli shqiptar që m’i ka dhënë çelësat e saj në mirëbesimin më të madh.”
Duke sjellë si shëmbull vendimin e qeverisë për mbylljen e TIK TOK, Edi Rama u kërkoi qytetarëve që në zgjedhjet e pranverës ti mbyllin derën e kuvendit të gjithë gazbardhëve.
“TikTokut do t’ia mbyllë derën e Shqipërisë për të paktën një vit qeveria, ndërsa këtij llumi duhet t’ia mbyllni dyert të gjithë ju, duke nisur nga dera e parlamentit të ardhshëm
Të mos e merrni llumin e kësaj të keqeje të madhe, si një fatkeqësi natyrore që nuk shmanget dot; të mos i lini fëmijët që nuk votojnë akoma në mëshirën e këtyre modeleve të shpifura të bashkëjetes shoqërore dhe as të mos i harroni, as të mos i toleroni ata që e mishërojnë këtë model, qofshin katranë të mëdhenj e të vjetër, e qofshin ca të ashtuquajtur të rinj e të vegjël, kur të vijë në pranverë, dita e gjykimit tuaj për të gjithë individët e forcat politike, që do t’ju kërkojmë votën për të qeverisur Shqipërinë në katër vitet e ardhshme.”